Avokati palestinez Khaled Mahajna ndau rrëfime tronditëse të torturave kundër të burgosurve nga Gaza në burgjet izraelite.
Mahajna, një avokat në Komisionin e Çështjeve të të Burgosurve, tha në një konferencë për media se ai vizitoi dy të burgosur të Gazës të dielën në burgun "Ofer" pranë Ramallahut në Bregun Perëndimor.
Një nga dy të arrestuarit, gazetari Mohammad Arab, detajoi përvojën e tij gjatë marrjes në pyetje në kampin "Sde Teiman" në shkretëtirën Negev në Izraelin jugor, ku u mor në pyetje për një vizitë të mëparshme nga avokati i tij dhe u kërcënua me ndëshkim për zbulimin e detajeve.
Mohammad Arabi përshkroi se ishte dëshmitar i përdhunimit të të burgosurve të Gazës, duke përfshirë një që u zhvesh lakuriq. Ky i arrestuar ndodhet në gjendje kritike fizike dhe mendore.
Një tjetër i arrestuar u zhvesh lakuriq, u torturua me rrymë elektrike dhe iu nënshtrua abuzimit seksual.
Avokati Mahajna tha se të arrestuarit detyroheshin të shtriheshin në tokë me duart e lidhura pas kokës, ndërsa qentë e policisë i sulmonin.
Sipas avokatit, rreth 100 të burgosur të tjerë u transferuan nga kampi "Sde Teiman" në burgun "Ofer" me sy të lidhur, duke i bërë ata të besonin se ishin dërguar në një kamp afër Gazës.
Më shumë se 9 mijë të burgosur palestinezë mbahen në burgjet izraelite, sipas Shërbimit të Burgjeve të Izraelit.
Që nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza më 27 tetor 2023, ushtria izraelite ka arrestuar mijëra palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Vetëm një numër i vogël janë liruar, ndërsa fati i të tjerëve mbetet i panjohur mes raportimeve për tortura sistematike.
Mbi nëntë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Rreth 38.700 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 89 mijë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.