Komisarja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se BE-ja po përpiqet të arrijë dinamizëm në zgjerim duke hapur kapituj me Ukrainën dhe Moldavinë këtë vit, ndërsa synon ta mbështesë Malin e Zi dhe Shqipërinë në përfundimin e procesit të anëtarësimit në vitet e ardhshme.
Kos, e cila mori detyrën për 5 vite më 1 dhjetor 2024, u takua me deputetë në seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE) dhe e vlerësoi situatën në lidhje me zgjerimin.
"Për herë të parë në 10 vjet, ne kemi një pritje realiste që mund të sjellim dy ose tri vende kandidate në vijën e finishit", tha Kos, duke shtuar se dinamizmi aktual i detyrohet dritares së mundësive që hapi lufta në Ukrainë.
Kos theksoi se kjo mundësi ciklike nuk do të thotë se do të ketë një "lehtësim" në zgjerim dhe më tej shtoi se "procesi i zgjerimit do të vazhdojë të jetë i bazuar në merita".
Pasi tha se pret të hapen një ose dy kapituj me Ukrainën dhe Moldavinë gjatë presidencës së Polonisë, e cila do të vazhdojë deri më 1 korrik, Kos theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Mali i Zi, ka një vizion për të përfunduar procesin e negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe Shqipëria deri në fund të vitit 2027 dhe se të dy vendet do të mbështeten për këtë qëllim.
- Kërkesa e presidentit Zelenskyy për të hapur të gjithë kapitujt këtë vit
Kos preku gjithashtu procesin e kandidimit të Ukrainës, duke theksuar se Ukraina po bën "gjëra të mëdha". Kur fola me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha Kos, ai i ka kërkuar që të hapen të gjithë kapitujt këtë vit.
"Kur e dëgjova këtë për herë të dytë, thashë se nuk ka të bëjë vetëm me hapjen, ka të bëjë kryesisht me mbylljen. Ukraina po bën reforma vërtet të mira, por ato duhet të jenë reforma të qëndrueshme. Ata e dinë këtë dhe ne i mbështesim", tha Kos, duke bërë të ditur se këtë i ka thënë presidentit Zelenskyy.
Komisarja Kos tha se grupi i parë i kapitujve, të cilët e përcaktojnë bazën për përparimin drejt anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë dhe grupi i 31-të që përfshin marrëdhëniet me jashtë, mund të hapen këtë vit dhe theksoi faktin se këto janë çështje për të cilët vendoset unanimisht.
- Gjeorgjia
Më tej, ajo foli edhe lidhur me protestat që filluan në Gjeorgji pasi qeveria pezulloi negociatat me BE-në.
"Në anën tjetër, situata në Gjeorgji është një kujtesë e goditur që tregon se rruga drejt anëtarësimit në BE nuk është e lehtë dhe se mund të ketë pengesa. Më vjen thellësisht keq që autoritetet vazhdojnë të distancohen nga integrimi në BE", tha Kos.
- Türkiye
Lidhur me Türkiyen, Kos ka theksuar se vlerësojnë atë që "Türkiye ka bërë në fushën e ndihmës për refugjatët", ndërsa rikujtoi se BE-ja vitin e kaluar mori vendim që të krijohet më shumë dialog me Türkiyen.
Gjithashtu, Kos u shpreh se ata planifikojnë që në muajt mars dhe prill të krijojnë një dialog të nivelit të lartë me Türkiye për çështjen e ekonomisë.
- Zgjerimi i BE-së
Zgjerimi i fundit i BE-së ishte 12 vjet më parë me anëtarësimin e Kroacisë.
Krahas Ukrainës, Moldavisë dhe Türkiyes, pesë vende në Ballkanin Perëndimor, si Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë kandidate, ndërsa Kosova është në pozitën e kandidatit potencial për në BE.