Presidenti turk Erdoğan: Türkiye nuk do të lejojë kurrë grupe terroriste      / Foto: AA

Türkiye nuk do të lejojë organizata terroriste përgjatë kufirit të saj me Sirinë dhe Irakun, tha të mërkurën presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke përsëritur vendosmërinë e Ankarasë për të luftuar terrorizmin.

“Ne në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë ekzistencën e një organizate terroriste në jug të Türkiyes, në veri të Sirisë apo në veri të Irakut”, tha Erdoğan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin, Ankara.

Duke iu referuar qytetit në veri të Sirisë, Erdoğan tha:

“Përfundimisht do të sigurojmë vendet afër kufirit tonë ku mblidhen terroristët, veçanërisht Tal Rifaat”.

PKK-ja është organizatë separatiste dhe terroriste që është në listën e grupeve terroriste në Türkiye, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë fushatës terroriste disadekadëshe kundër Türkiyes, terroristët e PKK-së kanë vrarë të paktën 40.000 njerëz.

“Izraeli do të mbahet përgjegjës për shtypjen e palestinezëve që nga Lufta e Dytë Botërore”

Izraeli do të mbajë përgjegjësi për gjithë shtypjen që ka shkaktuar në Palestinë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha të mërkurën presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se nuk do të ketë “shpëtim” nga kjo.

"Sa më shumë që administrata izraelite të përshkallëzojë shtypjen e saj, aq më i rëndë do të jetë çmimi," tha Erdoğan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

“Pushtetarët izraelitë herët a vonë do të gjykohen në gjykatën e njerëzimit, do të vuajnë dënimin që meritojnë dhe do të zënë vendin e tyre në koshin e plehrave të historisë”, shtoi ai.

Erdoğan kritikoi gjithashtu ShBA-në dhe Evropën për "mbështetjen e tyre të pakufizuar" ndaj Izraelit, duke thënë se, po të mos kishin dhënë mbështetjen e tyre, "sundimtarët e këtij shteti terrorist nuk mund të vepronin në mënyrë të pamatur".

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në territorin palestinez të premten pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Të paktën 16.248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit ishte 1.200.

TRT Balkan / agjencitë