Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi të martën për përhapjen e shpejtë të poliovirusit në Rripin e Gazës, duke theksuar nevojën për një armëpushim për të lejuar fëmijët të vaksinohen kundër sëmundjes, e cila bën që gjymtyrët e caktuara të jenë të palëvizshme për pjesën tjetër të jetës së tyre.
"Përhapja e shpejtë e poliomielitit kërcënon të gjithë fëmijët në Gaza, tashmë të dobësuar nga zhvendosja, privimi dhe kequshqyerja", tha Borrell në X.
Duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm treditor, të pavarur nga negociatat më të gjera, për të mundësuar OBSh-në dhe UNICEF-in të kryejnë vaksinime, Borrell tha: "Njerëzimi ynë e kërkon këtë".
Më 16 gusht, ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi rastin e parë të konfirmuar të poliomielitit në Rripin e Gazës në 25 vjet, në qytetin Deir al-Balah. Rasti kishte të bënte me një foshnjë 10 muajshe, e cila nuk kishte marrë asnjë dozë të vaksinës kundër poliomielitit.
Sëmundja prek kryesisht fëmijët nën moshën pesë vjeç, me një në 200 infeksione që çojnë në paralizë të pakthyeshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), midis 5 për qind dhe 10 për e të paralizuarve vdesin për shkak të dështimit të funksionimit të muskujve të tyre të frymëmarrjes.