Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se 31 nga 36 spitalet në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Ata bënë thirrje për t'i dhënë fund sulmeve ndaj objekteve shëndetësore që janë jetike për civilët.
Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, dhe Janez Lenarçiq, anëtar i Komisionit të BE-së i ngarkuar me menaxhimin e krizave dhe ndihmën humanitare, thuhet se 31 nga 36 spitalet në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar.
"Qasja në kujdesin mjekësor urgjent është edhe më e rëndësishme në një kohë kur palestinezët në Gaza jetojnë nën bombardime të vazhdueshme dhe më shumë se 9.000 njerëz të plagosur rëndë janë në rrezik të vdekjes për shkak të mungesës së kujdesit adekuat shëndetësor”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Borrelit dhe Lenaçiqit.
Po ashtu, nëpërmjet kësaj deklarate u bë e ditur se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka regjistruar 890 sulme ndaj objekteve shëndetësore që nga 7 tetori, 443 prej tyre në Gaza dhe 447 në Bregun Perëndimor.
Ata theksuan se sulmet kishin për qëllim punonjësit e shëndetësisë, spitalet dhe klinikat.
Ata bënë thirrje për t'u dhënë fund sulmeve ndaj objekteve shëndetësore dhe që palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar.
Gjithashtu, raportohet se më shumë se 50 objekte shëndetësore dhe 300 ambulanca u dëmtuan qëllimisht në Bregun Perëndimor të okupuar dhe se ekziston shqetësimi për sulmet ndaj shërbimeve shëndetësore.
"Një tragjedi njerëzore në kohë reale po shpaloset para syve tanë. BE-ja është thellësisht e shqetësuar për vuajtjet e popullsisë civile në Gaza”, shtuan ata.