Presidenti amerikan Joe Biden u prit nga një grup protestuesish me sloganet "mbështetës i gjenocidit" në Los Anxhelos të ShBA-së.
Në kuadër të vizitës së tij në Los Anxhelos, Biden mbajti një fjalim në bibliotekën "Culver City Julian Dixon" ndërsa kundër tij protestuan një grup demonstruesish pro Palestinës.
Gjatë momentit kur po shkonte në drejtim të ndërtesës nën shoqërimin e autokolonës, një grup protestuesish që kritikuan Bidenin për mbështetjen e sulmeve të Izraelit në Gaza brohoritën me sloganet "mbështetës i gjenocidit".
Në bibliotekë protestuesit ndërprenë fjalën e Bidenit i cili po fliste për uljen e borxheve të studentëve në ShBA. Pas fjalimit, autokolona e Bidenit u përcoll sërish nën shoqërimin e protestës dhe sloganeve.
ShBA-ja vendosi veto të re ndaj thirrjeve për armëpushim
Pavarësisht humbjeve të mëdha civile në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe krimet e luftës të kryera nga Izraeli shumë herë të konfirmuara dhe nga zyrtarët e OKB-së, ShBA-ja e cila ka të drejtën e vetos në KS-OKB e bën KS-OKB-në jofunksionale duke vendosur veto ndaj thirrjeve për armëpushim.
ShBA-ja më parë ka vendosur veto ndaj projektrezolutave në lidhje me Gazën të paraqitur në KS-OKB më 16, 18, 25 tetor 2023 si dhe më 8 dhjetor 2023.
Administrata e Uashingtonit së fundmi vendosi veto ndaj projektrezolutës së paraqitur nga Algjeria më 20 shkurt dhe e cila kërkonte armëpushim urgjent humanitar në Gaza. Britania e Madhe abstenoi lidhur me projektrezolutën për të cilën 13 nga 15 vendet anëtare të KS-OKB-së votuan pro.