Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, tha se "për një proces të suksesshëm paqeje, qeveria e re që do të formohet në Gaza duhet të qeveriset nga palestinezët".
Sipas lajmit të gazetës "The Wall Street Journal" (WSJ), Blinken foli në konferencën për media në Tokio ku janë mbledhur ministrat e Jashtëm të vendeve G7 nën organizimin e Japonisë si presidente e radhës e G7 për vitin 2023.
"Rruga e vetme për t'i dhënë fund në mënyrë të përhershme luftës në Gaza është fillimi i krijimit të kushteve për procesin e paqes", theksoi Blinken.
"Ministrat e Jashtëm të vendeve G7 janë në të njëjtin mendim se nuk duhet të ketë zvogëlim të territorit të Gazës", tha Blinken duke shtuar se palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë nga Gaza.
Ai potencoi se element kyç në sigurimin e një procesi të suksesshëm paqeje është që çdo qeveri e re që do të formohet në Gaza të qeveriset nga palestinezët.
Blinken theksoi se Gaza nuk duhet të pushtohet, bllokohet ose të zvogëlohet territori i saj. Ai vuri në dukje se për një paqe të përhershme, kërkesat e popullit palestinez duhet të "përfshihen në qendër të administratës që do të vendoset në Gaza" pas konfliktit.