Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite Faisal bin Farhan dhe presidentin izraelit Isaac Herzog, në të cilat u diskutua lidhur me njoftimin e Izraelit se ka "vrarë liderin e Hamasit, Yahya Sinwar".
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Blinken ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Katari, Arabia Saudite dhe Izraeli. Blinken shkëmbeu mendime me Al Thanin dhe Bin Farhanin lidhur me njoftimin e Izraelit mbi vrasjen e liderit të Hamasit, Sinwar, dhe diskutoi përpjekjet në rritje për t'u dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme.
Gjatë bisedave u theksua rëndësia e udhërrëfyesit për banorët e Gazës për të "rindërtuar qytetet dhe jetët e tyre" pas përfundimit të konfliktit, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Blinken përsëriti mbështetjen e SHBA-së ndaj nismave diplomatike në drejtim të "zgjidhjes së konflikteve në 'Vijën e kaltër' në kufirin Izrael-Liban në përputhje me Rezolutën 1701 të KS-OKB-së".
Më tej, në deklaratë thuhet se "Blinken përgëzoi presidentin izraelit Herzog për vrasjen e Sinwarit dhe përsëriti angazhimin e ShBA-së për sigurinë e Izraelit".
Në bisedën mes sekretarit amerikan dhe presidentit izraelit është diskutuar edhe çështja e "marrjes së hapave urgjente për lirimin e pengjeve në Gaza dhe përfundimin e luftës me qëllim uljen e vuajtjeve të popullit palestinez".