Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se përgjigjja e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim dhe marrëveshje pengjesh kishte disa të meta të qarta, por se krijon hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje. "Megjithëse në përgjigjen e Hamasit ka të meta të qarta, ne mendojmë se kjo lë hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje. Do të punojmë pa pushim derisa të arrijmë atë", u tha Blinken gazetarëve gjatë një konference për media në Tel Aviv.
Komentet e sekretarit amerikan erdhën menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkesat e Hamasit për marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushim i quajti "zhgënjyese" dhe u zotua se do të vazhdojë ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës deri në arritjen e fitores kundër grupit palestinez me bazë në Gaza.
Më herët të martën, Hamasi deklaroi se përgjigjen e tyre ia kishin përcjellë Egjiptit dhe Katarit në lidhje me "marrëveshjen kornizë" lidhur me propozimin e shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushim në Rripin e Gazës.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, tha të martën se Doha kishte marrë përgjigjen e Hamasit për marrëveshjen, duke shtuar se ajo ishte "në përgjithësi pozitive".
Hamasi besohet se mban rreth 136 izraelitë.
Izraeli ka nisur ofensivë të egër në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë të paktën 27.708 palestinezë dhe duke plagosur rreth 67.170 të tjerë, ndërsa nga pala izraelite, Tel Avivi, pretendon se në sulmin e Hamasit janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.
Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.