Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, deklaroi se janë kundër një sulmi të madh në Rafah dhe kërkoi nga Izraeli të lehtësojë hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se Blinken zhvilloi bisedë telefonike me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Sipas deklaratës, Blinken ka potencuar edhe një herë angazhimin e ShBA-së për sigurinë e Izraelit dhe ka bërë të ditur se me Izraelin janë në të njëjtin drejtim për mposhtjen e Hamasit.
Blinken dhe Gallant diskutuan për situatën e fundit në Gaza dhe Rafah. Blinken përsëriti pozicionin e ShBA-së se ajo është kundër një sulmi të madh izraelit në Rafah.
Sekretari amerikan kërkoi nga ministri izraelit të mos shënjestrohen civilët dhe punonjësit e ndihmës humanitare në Gaza dhe të lejohet hyrja e ndihmës humanitare në rajon.