Një prej kompanive që u përball me protesta dhe fushata bojkotimi për shkak të sulmeve të Izraelit në Gaza ishte edhe Starbucks, të cilës të ardhurat e saj pësuan ulje në periudhën janar-mars, raport i bërë i ditur nga vetë kompania.
Sipas raportit, të ardhurat e kompanisë u ulën me 2 për qind në bazë vjetore në periudhën janar-mars, duke rënë në rreth 8.6 miliardë dollarë. Pritjet e tregut ishin që Starbucks të gjeneronte të ardhura prej 9,1 miliardë dollarë në këtë periudhë.
Shitjet të cilat pritej të rriteshin gjatë kësaj periudhe, patën gjithashtu rënien e tyre të parë që nga fundi i vitit 2020, duke u ulur me 4 për qind. Frekuentimi në dyqanet e Starbucks gjithashtu u ul me 6 për qind.
Fitimi për aksion i kompanisë, i cili në periudhën janar-mars të vitit të kaluar ishte 79 centë, në të njëjtën periudhë të këtij viti është ulur në 68 centë. Kompania pritej të sillte fitime prej 79 centë për aksion.
Kryeshefi Ekzekutiv (CEO) i Starbucks, Laxman Narasimhan njoftoi në një telekonferencë se performanca e kompanisë në këtë tremujor ishte zhgënjyese dhe se nuk i ka përmbushur pritshmëritë e tyre.
Narasimhan u shpreh se vazhdojnë të ndiejnë efektin e një konsumatori më të kujdesshëm në disa tregje të rëndësishme dhe tha se përkeqësimi i perspektivës ekonomike ndikon edhe në shitje duke ushtruar presion mbi trafikun e klientëve.
Narasimhan duke shprehur besimin se mundësitë afatgjatë të rajonit do të kenë permisa për rritje, tha se ende shohin luhatje ekonomike në Lindjen e Mesme.
Muajin e kaluar, Narasimhan deklaroi se Fondacioni Starbucks dhe Alshaya Group me bazë në Kuvajt, e cila zotëron të drejtat e operimit të kompanisë në Lindjen e Mesme, dhuruan 3 milionë dollarë për përpjekjet humanitare për të ofruar ndihmë ushqimore në Gaza dhe Kuzhinës Qendrore Botërore (WCK).
Drejtuesit e Starbucks ia atribuuan ngadalësimin e shitjeve në tremujorin e kaluar bojkoteve që synonin kompaninë për shkak të "keqkuptimit" të qëndrimit të kompanisë ndaj Izraelit.