Egjipti është dhe duhet të jetë një partner kyç në përpjekjet për zgjidhjen me dy shtete në Lindjen e Mesme, deklaroi të martën shefi i politikës së jashtme të BE-së.
Josep Borrell, ministri i jashtëm i Egjiptit Sameh Shoukry dhe komisari i BE-së për Zgjerimin Oliver Varhelyi mbajtën një konferencë të përbashkët për media pas një takimi në Bruksel.
"Ne vlerësojmë rolin vendimtar që ka luajtur Egjipti, si për sigurimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare për njerëzit në Gaza, ofrimin e kujdesit shëndetësor për të evakuuarit mjekësorë, negocimin e pauzës humanitare dhe për lirimin e pengjeve në nëntor", tha Borrell.
Ai vuri në dukje se BE-ja synon të ndërtojë një koalicion mbështetës për rinisjen e një perspektive politike për zgjidhjen me dy shtete, duke shtuar: "Edhe Egjipti është dhe duhet të jetë një partner kyç në këtë drejtim".
"Izraeli nuk ka të drejtën e vetos për vetëvendosjen e popullit palestinez", shtoi ai.
Borrell theksoi se Egjipti nuk është një "partner strategjik", por një "aktor strategjik" në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.
Egjipti kërkon armëpushim të menjëhershëm
Ministri i Jashtëm egjiptian bëri thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm" në Gaza, duke e përshkruar shkallën e humbjes së jetëve si "të papranueshme" dhe "të paprecedentë".
"Është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar të merret me ciklin e dhunës, konfliktit, armiqësisë që kanë pasuar rajonin për 40 vjet e më shumë, që nga shpërthimi i konfliktit. Koha është që ta zgjidhim këtë. Nuk është më koha që të përpiqemi ta menaxhojmë, ta shtyjmë”, theksoi ministri.
Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar ka mjetet, burimet dhe mekanizmat për ta bërë këtë, "nëse ekziston vullneti politik".
Komisari i BE-së vlerëson Egjiptin për ndihmën për refugjatët
Komisari i BE-së Varhelyi vlerësoi "punën e palodhur" të Egjiptit në çështjet rajonale.
"Ka qenë me ne që nga lufta siriane dhe Egjipti është një strehë e një komuniteti shumë të madh refugjatësh, diçka për të cilën vetëm pak kush flet", shtoi komisari.
Izraeli nisi një ofensivë të pamëshirshme në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.490 palestinezë dhe duke plagosur 63.354. Besohet se 1.200 izraelitë janë vrarë sipas të dhënave zyrtare.
Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka lënë 85 për qind të popullsisë së Gazës, në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.