Sipas shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, Spanja, Irlanda dhe Sllovenia planifikojnë të njohin shtetin palestinez, më 21 maj.
Në një intervistë për transmetuesin spanjoll RNE, Borrell tha se ai beson se 21 maji do të jetë data, sepse ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, i tha atij ashtu dhe sepse dje Sllovenia nisi procedurat politike për njohjen e shtetit palestinez.
"Dhe, ndoshta, pas këtij hapi, do të ketë më shumë vende që do të bashkëngjiten, sepse Belgjika po e konsideron pikërisht këtë, si dhe e ka vonuar vendimin pasi kërkon bashkimin e më shumë vendeve", tha Borrell.
Vende të tjera të BE-së, përfshirë Maltën dhe Norvegjinë, së fundmi gjithashtu kanë thënë se duan të njohin shtetin palestinez kur të jetë e mundur.
Megjithatë, qeveria e Spanjës dhe e Irlandës nuk kanë arritur të konfirmojnë një datë.
Dje, Albares i Spanjës tha se megjithëse nuk mund ta konfirmojë 21 majin, vendimi është marrë për të njohur shtetësinë "së shpejti".
Lideri irlandez, Simon Harris, gjithashtu refuzoi të konfirmojë datën kur u pyet, por premtoi se do ta bëjë këtë lëvizje së shpejti.
"Kurrë nuk ka një kohë të gabuar për ta bërë gjënë e duhur dhe gjëja e duhur për të bërë tani është njohja e shtetit të Palestinës. Nuk mund të thuash se beson në një zgjidhje me dy shtete dhe të mos e pranosh se ekzistojnë dy shtete", tha Harris në një konferencë për media në Dublin.
Ndërkohë, qeveria sllovene synon t’i dërgojë parlamentit një kërkesë zyrtare për njohjen e shtetit të Palestinës para datës 13 qershor.
21 maji do të vendoste një njohje të koordinuar pikërisht përpara fillimit të fushatës zgjedhore të BE-së.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së përshëndeti vendet që po përpiqen të njohin shtetin palestinez në një fjalim publik që ai mbajti dje në Madrid, duke theksuar se ideja është e "rrënjosur në parimet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut".
"Është mirë që atë që vërtet besojnë në një zgjidhje me dy shtete, po shkojnë përtej fjalëve", tha Borrell.
Gjatë intervistës për RNE, Borrell theksoi se njohja është kryesisht "simbolike", duke shtuar se "është më shumë se njohja e një shteti, është njohja e vullnetit që ky shtet të ekzistojë në të vërtetë".
Tashmë nëntë nga 27 vendet e BE-së e njohin Palestinën, me Suedinë të fundit që e ka bërë këtë në vitin 2014.
Në javët e fundit, vendet e Karaibeve, respektivisht Barbados, Xhamajka, Trinidad dhe Tobago, si dhe Bahamas, morën veprime për njohjen e Palestinës si shtet. Tani i gjithë Komuniteti i Karaibeve 14-anëtarësh mban një qëndrim të bashkuar për këtë çështje.
Sot, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të votojë mbi një rezolutë për të rishqyrtuar në mënyrë të favorshme kërkesën e Palestinës për t’u bërë anëtare e 194-të e OKB-së.