Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell paralajmëroi se lëvizjet për të pezulluar financimin e agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët UNRWA ishin jashtëzakonisht të keqmenduara.
"Mosfinancimi i UNRWA-s do të ishte joproporcional dhe i rrezikshëm," tha Borrell për agjencinë e cila është e involvuar në polemika mbi përfshirjen e pretenduar të punonjësve në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit.
Ndërsa disa donatorë të rëndësishëm pezulluan fondet sipas Borrellit ekziston një vlerësim i gjerë, se UNRWA-ja është thelbësore për ofrimin e ndihmës jetike për më shumë se 1,1 milion njerëz në Gaza që vuajnë nga uria katastrofike dhe shpërthimi i sëmundjeve.
"Mosfinancimi i agjencisë do të vinte qindra mijëra jetë në rrezik", tha Borrell në një postim në blog. Ai shtoi se "agjencia ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe ka nisur një hetim", duke i quajtur akuzat serioze dhe të cilat nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar nëse janë të vërteta.
Agjencia – e cila ka marrë një nominim norvegjez për Çmimin Nobel të Paqes – ka paralajmëruar se do t'i duhet të ndërpresë operacionet deri në fund të muajit nëse fondet tërhiqen ndjeshëm.