Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Omer Çelik dënoi sulmin e ushtrisë izraelite ndaj ekipit gazetaresk të TRT Arabi. “Edhe një herë, ne dënojmë ushtrinë izraelite, e cila po masakron brutalisht palestinezët në Rripin e Gazës, duke synuar përfaqësuesit e mediave që vendosin situatën humanitare në rajon në agjendën botërore”, shkroi Çelik në X.
“I urojmë shërim të shpejtë ekipit të TRT Arabi, i cili u sulmua nga Izraeli teksa po përgatitej të transmetonte në kampin Nusejrat në Gaza. Gazetarit të lënduar Sami Shehadeh i urojmë shërim të shpejtë”, shtoi ai.
Një numër gazetarësh u plagosën sot në një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nusejrat në qendër të Rripit të Gazës.
Burime mjekësore thanë për Anadolu se në mesin e të plagosurve ka edhe gazetarë në terren të kanalit arab të TRT-së, të cilët raportojnë për sulmet në Gaza.
Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor, që vrau rreth 1.200 njerëz.
Që atëherë, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë mbi 33.600 palestinezë.
Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë të plotë në enklavën bregdetare, duke e lënë popullsinë e tij, veçanërisht banorët e Gazës veriore, në prag të urisë.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, lufta e Izraelit në Gaza ka detyruar 85 për qind të popullsisë së enklavës të zhvendoset brenda vendit, ka shkaktuar mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare, të arrijë deri te civilët e Gazës.