Një burrë i dorëzoi policisë daneze 80 armë zjarri, 140 kilogramë municione dhe një granatë dore që mendohet të jenë nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat i gjeti gjatë pastrimit të shtëpisë së tij, thanë zyrtarët të premten.
Armët iu dorëzuan policisë si pjesë e një amnistie mbarëkombëtare të prezantuar nga autoritetet në një përpjekje për të parandaluar bandat kriminale që të merrnin armë të paligjshme. Policia tha se njerëzit mund të dorëzojnë armët pa rrezik për ndjekje penale gjatë nëntorit.
Vitet e fundit, ky vend skandinav ka parë një rritje të dhunës mes grupeve kriminale që luftojnë për territor dhe drogë.
Burri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka dorëzuar 62 pistoleta dhe 18 armë zjarri të tjera, duke përfshirë pushkë dhe mitralozë, si dhe municione, pjesë të ndryshme të armëve të vogla dhe një granatë dore që sipas policisë i përket Luftës së Dytë Botërore.
Policia tha se do të informonte Muzeun Kombëtar të Danimarkës "në mënyrë që ata të mund të vlerësojnë nëse duhet të ruajnë ndonjë prej tyre".
Në 12 ditët e para të amnistisë, sipas të dhënave zyrtare janë paraqitur rreth 8.402 raste.
Blerja, mbajtja ose përdorimi i armëve të zjarrit ose armëve të rrezikshme dhe thikave nuk lejohet në Danimarkë, përveç nëse personi ka leje policore.
Amnisti të ngjashme për posedimin e armëve ka pasur edhe në vitet 2009, 2013 dhe 2017, raporton tabloidi “Ekstra Bladet”.