Një delegacion i lartë egjiptian i sigurisë mbërriti në Tel Aviv të premten për të diskutuar një armëpushim të mundshëm në Gaza midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, raportojnë mediat egjiptiane dhe izraelite.
Televizioni privat Al Qahera citoi një burim egjiptian të informuar, të paidentifikuar, të thoshte se delegacioni egjiptian përfshinte një grup ekspertësh të sigurisë.
Burimi shtoi se delegacioni do të diskutojë një kornizë gjithëpërfshirëse për një armëpushim në Gaza, duke thënë se ka pasur "përparim të rëndësishëm" në ngushtimin e dallimeve midis delegacioneve egjiptiane dhe izraelite.
Edhe portali izraelit “Ynet” ka konfirmuar mbërritjen e një delegacioni egjiptian në Izrael në përpjekje për të arritur një marrëveshje.
Tel Avivi beson se 134 izraelitë janë të ndaluar në Gaza, ndërsa Izraeli mban rreth 9.000 palestinezë në burgjet e tij.
Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe grupit të Hamasit po mbahen në Kajro dhe Doha me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e të burgosurve.
Megjithatë, asnjë përparim nuk është bërë deri më tani mes akuzave të ndërsjella për dështimin e arritjes së shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushimit në Gaza.
Izraeli ka nisur një ofensivë në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Që atëherë, më shumë se 34.300 palestinezë janë vrarë në enklavë.
Lufta e Izraelit ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës në zhvendosje të brendshme me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas Kombeve të Bashkuara.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.