Delegacioni izraelit në Katar për bisedimet e armëpushimit në Gaza           / Foto: AA

Një delegacion izraelit është në Katar për bisedime mbi një marrëveshje armëpushimi në Gaza që përfshin një shkëmbim të të burgosurve dhe pengjeve me Hamasin, njoftoi transmetuesi publik izraelit KAN.

KAN-i të hënën mbrëma tha se Tel Aviv po punon për të përfunduar marrëveshjen këtë muaj, e cila mund të hyjë në fuqi përpara 20 janarit, kur do të inaugurohet presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me grupin e Hamasit rreth marrëveshjes, zyrtarët izraelitë, të cilët folën për KAN, deklaruan se është bërë përparim i prekshëm dhe bisedimet aktuale po përparojnë.

Por, nuk kishte asnjë koment i menjëhershëm nga Katari apo Izraeli mbi raportin, i cili thoshte se delegacioni kishte një "mandat të kufizuar".

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se kjo javë është "vendimtare" për arritjen e marrëveshjes, pasi Hamasi pritet të japë përgjigjen e tij ndaj një propozimi të fundit të paraqitur në grup.

Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një armëpushim në Gaza deri më tani kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndalur konfliktin në vazhdim.

Izraeli ka vazhduar luftën e tij në Rripin e Gazës që ka vrarë mbi 45.000 njerëz, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 që mori 1.200 jetë dhe rreth 250 të tjerë u morën peng. Rreth 101 robër besohet se janë ende në territorin palestinez.

Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po përballet gjithashtu me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në enklavën e bllokuar.

TRT Balkan / agjencitë