Twitter ka zgjedhur të tërhiqet nga Kodi vullnetar i Bashkimit Evropian kundër dezinformatave onlajn, duke shkaktuar reagim të ashpër nga Brukseli.
Rrjeti social me pronar miliarderin Elon Musk bëhet kështu platforma e parë më e madhe që e braktis Kodin vullnetar, të lançuar në vitin 2018. Aktualisht 44 platforma onlajn janë të regjistruara në të, duke përfshirë Meta dhe Google.
Ky vendim i Twitterit nuk u prit aspak mirë në Bruksel dhe në kryeqendrat e vendeve anëtare të BE-së.
Reagimi i BE-së: Twitteri zgjodhi konfrontimin
Twitteri “bëri gabim” dhe “zgjodhi konfrontimin” me BE-në me vendimin për tërheqjen nga Kodi vullnetar kundër dezinformatave onlajn. Kështu komentojnë zyrtarët evropianë vendimin e gjigantit social.
Zv/presidentja e Komisionit Evropian për vlera dhe transparencë, Věra Jourová, paralajmëroi se do të shqyrtohet urgjentisht puna e Twitterit pas këtij vendimi.
“Kjo është vënë re shumë në Komision dhe e di që kodi është vullnetar, por, duke lënë kodin, Twitteri ka tërhequr shumë vëmendje dhe veprimet e tij dhe pajtueshmëria me ligjin e BE-së do të shqyrtohen urgjentisht”, tha Jourová.
Madje, disa zyrtarë shkojnë aq larg sa paralajmërojnë ndalimin e Twitterit në gjithë BE-në, nëse nuk i ndjek rregullat e Unionit. Ky kërcënim erdhi drejtpërdrejt nga Ministri i Tranzicionit Digjital dhe i Telekomunikimeve i Francës.
“Twitter, nëse në mënyrë të përsëritur nuk ndjek rregullat tona, do të ndalohet nga BE-ja”, tha ministri francez, Jean-Noël Barrot.
Tjetër dioptri në rastin e Türkiyes
Ndërkohë që Twitteri kërcënohet me ndalesë nëse nuk i ndjek rregullat e BE-së kundër dezinformimit, Evropa nuk e ka këtë konsideratë kur të njëjtën e kërkon Türkiye. Zyrtarët perëndimorë dhe mediat kanë kritikuar shpesh Ankaranë për përpjekjet e saj për të luftuar dezinformatat onlajn në rrjetet sociale.
Ndaj kuteve të dyfishta ka reaguar edhe Drejtori i Komunikimeve i Türkiyes, Fahrettin Altun.
Altun thotë se i kupton mirë reagimet e kolegëve evropianë, por nuk e kupton mungesën e konsideratës nga ata kur Türkiye angazhohet për qëllimin e njëjtë.
“Ashtu si zyrtarët nga vendet e BE-së, ne nuk duam që asnjë platformë e mediave sociale të bëhet burim dezinformimi në vendin tonë. Ironikisht, ne përfundojmë duke u shtyrë kundër kompanive të supozuara të paanshme të mediave sociale që kërkojnë të ndërhyjnë në politikën turke, si dhe qeveritë perëndimore që përpiqen të parandalojnë përpjekjet turke për të rregulluar komunikimin digjital në emër të rendit publik”, shkruan Altun.
Türkiye në vitin 2022 miratoi ligjin që rregullon ndër të tjerash raportimin në internet dhe mbrojtjen e fëmijëve në arenën digjitale. Gjithashtu, përhapja e qëllimshme e informacioneve të rrejshme në masë u kualifikua si krim.
Për më tepër, seksioni përkatës i Kodit Penal i Türkiyes parashikon se kushdo që "përhap publikisht informacion të rremë në lidhje me sigurinë e brendshme dhe të jashtme, rendin publik ose shëndetin publik me qëllim të nxitjes së shqetësimit, frikës ose panikut midis njerëzve" do të ndëshkohet.
Ankaraja gjithashtu obligon rrjetet sociale me bazë jashtë vendit të cilat kanë më shumë se 1 milion vizita virtuale në ditë nga Türkiye, të caktojnë një përfaqësues në vend, t'u përgjigjen të gjitha kërkesave individuale brenda 48 orëve dhe të dorëzojnë raporte në gjuhën turke që përmbajnë informacion statistikor ose kategorik çdo gjashtë muaj.
Kreu i komunikimeve turke Altun nënvizoi se dezinformimi paraqet kërcënim kundër shteteve dhe komunitetit ndërkombëtar, ndërsa kolegëve perëndimorë u ofroi që të ndajë përvojat turke në luftën kundër këtyre dukurive.