Dhjetëvjeçari në Gaza ndërroi jetë shkaku i kequshqyerjes.     /Foto: AA

Djaloshi palestinez dhjetëvjeçar Yazan al-Kafarneh vdiq nga uria e rëndë si pasojë bllokadës dhe sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

“Kam humbur fëmijën tim sot pas dhjetë ditësh në spital për shkak të kequshqyerjes. Shëndeti i djalit tim u përkeqësua me shpejtësi dhe ai humbi peshë derisa u bë skelet”, tha nëna e djalit për Anadolu Agency (AA) ndërsa qëndronte në spitalin Yousef al-Najjar në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah.

Sipas familjes së tij, Yazan kishte arritur në një pikë ku kishte nevojë për ushqim të veçantë dhe lëndë ushqyese për të qëndruar gjallë pasi kishte humbur kaq shumë peshë.

Nëna e tij nuk e kishte idenë se do ta shihte fëmijën e saj të vdekur nga uria në krahët e saj.

"Djali im tani është në parajsë, por kurrë nuk e imagjinoja se do të arrinim në këtë fazë", tha nëna, familja e së cilës u zhvendos nga Beit Hanoun në veri të Gazës në Rafah në jug të enklavës.

Kur Izraeli urdhëroi një milion banorë të Gazës veriore të lëviznin në jug, grupet e të drejtave paralajmëruan se kjo, së bashku me bllokadën, do të çonte në një fatkeqësi humanitare.

“Mesazhi im për botën është të shikojmë fëmijët në Gaza dhe të shohim se si jeta e tyre ka ndryshuar”, tha nëna e djalit.

Babai i djalit i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të adresuar nevojat e fëmijëve palestinezë që përballen me kequshqyerjen në Gaza.

"Shpresojmë që kjo luftë të përfundojë së shpejti për t'i lejuar fëmijët tanë të hanë ushqim dhe të bëjnë një jetë të shëndetshme", shtoi ai.

Të paktën 16 fëmijë vdiqën nga dehidratimi dhe kequshqyerja në Rripin verior të Gazës gjatë rrethimit të zonës nga Izraeli, tha Ministria e Shëndetësisë palestineze.

Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë