Një numër i madh palestinezësh u vranë në sulmet izraelite të akuzuar për gjenocid në Rripin e Gazës në ditën e parë të Ramazanit, muajit të bekuar të myslimanëve.
Forcat izraelite për të 157-ën ditë kanë vazhduar sulmet në Rripin e Gazës, ku kanë shkaktuar një fatkeqësi të madhe humanitare.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, gjatë gjithë natës ushtria izraelite ka kryer sulme intensive ajrore, tokësore dhe detare në pika të ndryshme, veçanërisht në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës dhe në lagjen Zeytun në qytetin e Gazës.
Në sulmet e kryera në vendbanimin Zeytun pati viktima dhe të plagosur.
Objektivi ishte një shtëpi në pjesën lindore të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës dhe u raportua se kishte të vdekur dhe të plagosur në sulm.
Ndërsa artileria izraelite qëllonte në lindje të Khan Younis, avionët luftarakë bombarduan shumë shtëpi në lagjen Es-Sabra të Gazës. Shumë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë dhe u plagosën në sulm.
Forcat izraelite bombarduan tokat bujqësore në lagjen Salam të qytetit Rafah, afër kufirit me Egjiptin.
Avionët luftarakë shënjestruan kampin e refugjatëve Nusayrat në pjesën qendrore të enklavës, në perëndim të qytetit të Gazës. Në këto sulme ka edhe të vdekur dhe të plagosur.
Ekipet mjekësore nxorën dhjetë trupa, përfshirë gra dhe fëmijë, nga rrënojat e shtëpisë së familjes palestineze Ashur, e cila u bombardua në lagjen Tel el-Heva të Gazës.
Izraeli i akuzuar për gjenocid nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar. Nga ajo periudhë janë vrarë të paktën 31.045 palestinez dhe janë plagosur 72.654.
Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.
Sulmet, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgimi i ndihmave mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar katastrofën humanitare.