Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së ShBA-së (CIA), Bill Burns, deklaroi se sot do të udhëtojë në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të diskutuar mbi situatën e fundit lidhur me negociatat për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza. Në lajmin e faqes "Axios" të cilin e bazon në një zyrtar izraelit, thuhet se drejtori i CIA-s, Burns do të takohet në Doha me kryeministrin e Katarit dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Në lajm bëhet e ditur se Burns do të trajtojë me kryeministrin e Katarit, Al Thani situatën e fundit lidhur me negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit.
Televizioni shtetëror izraelit KAN më 16 dhjetor raportoi se një delegacion izraelit që ka "autoritet të kufizuar" ka shkuar në Doha lidhur me negociatat e armëpushimit dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, në një deklaratë dje njoftoi se "janë afër një marrëveshjeje me Hamasin për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim".
Ndërkohë edhe Hamasi në një deklaratë me shkrim dje tha se bisedimet e zhvilluara në Katar për armëpushim janë "serioze dhe pozitive" dhe se mund të arrihet marrëveshje nëse Izraeli heq dorë nga paraqitja e kushteve të reja.