Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një postim në X ka raportuar se që me rrethimin e spitalit Al-Shifa më 18 mars, 21 pacientë kanë vdekur. Ndërkohë, 107 pacientë të tjerë ndodhen në një ndërtesë joadekuate, brenda kompleksit të spitalit, të cilëve u mungon mbështetja e nevojshme shëndetësore, kujdesi mjekësor dhe furnizimet.
Sipas përditësimeve nga spitali Al-Shifa në Gaza të raportuara nga një punonjës shëndetësor brenda spitalit, armiqësitë rreth spitalit vijojnë.
“Pacientët janë zhvendosur disa herë brenda kompleksit të spitalit që nga fillimi i rrethimit”, deklaron ai.
Më tej, në raport njoftohet se në mesin e pacientëve janë 4 fëmijë dhe 28 pacientë të tjerë në gjendje kritike të cilëve u mungojnë mjetet e nevojshme të kujdesit.
“Pa pelena, qese urine, ujë për të pastruar plagët. Shumë prej tyre kanë plagë të infektuara dhe janë të dehidratuar”, shkruhet në postim.
Ghebreyesus tha se dje në spital kishte mbetur vetëm një shishe ujë për çdo 15 persona.
“Sëmundjet ngjitëse po përhapen për shkak të kushteve jashtëzakonisht josanitare dhe mungesës së ujit”, shtoi ai.
“Ushqimi është jashtëzakonisht i kufizuar. Kjo është potencialisht kërcënuese për jetën për pacientët diabetikë, gjendja e të cilëve po përkeqësohet”, shkroi Ghebreyesus në rrjetin social X.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të lehtësojë urgjentisht qasjen dhe një korridor humanitar, në mënyrë që OBSh-ja dhe partnerët të mund të kryejnë transferimin e pacientëve”, shkruan kreu i OBSh-së.
Ndërkaq ai theksoi se në çdo moment ka rëndësi armëpushimi.