Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehu shqetësimin e tij për situatën "e tmerrshme" në Rripin e Gazës, duke thënë se fëmijët në pjesën veriore të Rripit po vdesin nga uria.
“Nivele të rënda të kequshqyerjes, fëmijë që vdesin nga uria, mungesa të rënda të karburantit, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore, me spitale të shkatërruara”, shkroi Ghebreyesus në rrjetin social X.
Ai e bëri njoftimin pasi një delegacion i OBSh-së vizitoi spitalet Al-Awdi dhe Kamal Adwan në veri të Rripit të Gazës.
“Situata në spitalin Al-Awda është veçanërisht e rëndë, pasi një nga ndërtesat është shkatërruar. Spitali Kamal Adwan është i vetmi spital pediatrik në Gazën veriore dhe është i mbingarkuar me pacientë”, tha ai.
Ghebreyesus tha se mungesa e ushqimit kishte rezultuar në vdekjen e të paktën dhjetë fëmijëve në këto spitale, duke shtuar se mungesa e energjisë elektrike përbënte gjithashtu një kërcënim serioz për kujdesin ndaj pacientëve, veçanërisht në zonat kritike si njësia e kujdesit intensiv dhe njësia neonatale.
“I bëjmë thirrje Izraelit të sigurojë që ndihmat humanitare të mund të dërgohen në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Civilët, veçanërisht fëmijët dhe punonjësit e shëndetësisë, kanë nevojë për më shumë ndihmë menjëherë. Ilaçi kryesor për të cilin kanë nevojë të gjithë këta pacientë është paqja. Ndaloni zjarrin”, tha kreu i OBSh-së.