ECOWAS-i aktivizon e forcën e gatishmërisë pas grusht shtetit në Niger.     /Foto: Reuters

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) urdhëroi aktivizimin e forcës së gatishmërisë për të "rivendosur rendin kushtetues" në Niger pas grushtit të shtetit në fund të muajit korrik.

Në një konferencë për media pas takimit të dytë urgjent të mbajtur në Abuja mbi situatën në Niger, presidenti i ECOWAS-it, Omar Alieu Touray, udhëzoi komitetin e shefit të shtabit të mbrojtjes që të "aktivizojë menjëherë forcën e gatishmërisë ECOWAS me të gjithë elementët e saj".

Blloku përsëriti "dënimin e fuqishëm" të grushtit të shtetit të 26 korrikut nga rojat presidenciale dhe që atëherë, "ndalimin e paligjshëm" të presidentit të rrëzuar Mohammed Bazoum, familjes së tij dhe anëtarëve të qeverisë së tij.

Touray tha se ECOWAS theksoi vendosmërinë "për të mbajtur të gjitha opsionet në tryezë për zgjidhjen paqësore të krizës".

Organizata vendosi gjithashtu të vazhdojë të zbatojë të gjitha masat e mëparshme, veçanërisht mbylljen e kufijve dhe ndalimet e rrepta të udhëtimit, si dhe ngrirjen e aseteve për të gjithë personat ose grupet e individëve, veprimet e të cilëve "pengojnë të gjitha përpjekjet paqësore që synojnë të garantojnë rivendosjen e qetë dhe të plotë të rendit kushtetues".

Më herët, kryesuesi i ECOWAS-it, Bola Tinubu, tha se kriza e vazhdueshme politike në Niger ishte një kërcënim për stabilitetin e Nigerisë dhe vendeve të tjera të Afrikës Perëndimore.

Të pranishëm në samit ishin presidentët e shteteve: Guinea Bissau, Senegal, Bregu i Fildishtë, Gana, Benin, Sierra Leone dhe Togo, ndërsa Liberia dhe Gambia u përfaqësuan nga ministrat e tyre të Jashtëm.

ShBA-ja, Franca dhe shtete të tjera kanë shprehur mbështetje për përpjekjet e ECOWAS-it në zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë, junta ushtarake e Nigerit shpalli një qeveri të re, duke emëruar Ali Lamine Zeinen si kryeministër me një kabinet prej 21 anëtarësh.

TRT Balkan / agjencitë