Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Boliviane, gjenerali Juan Jose Zuniga, i cili u përpoq të bënte një grusht shteti në Bolivi kundër Qeverisë së Presidentit Luis Arce, u arrestua me kërkesë të Zyrës së Kryeprokurorit të shtetit.
Sipas mediave boliviane, Zuniga akuzohet se ka udhëhequr tentativën për grusht shtet.
Ai u arrestua pasi doli nga selia e Shtabit të Përgjithshëm dhe më pas u dërgua në Prokurori me një automjet policie.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka nisur një hetim i gjithanshëm për akuzat për tentativën e grushtit të shtetit dhe ngjarjet që pasuan.
Presidenti Bolivian Arce deklaroi se disa njësi ushtarake janë mobilizuar në mënyrë të parregullt në vend dhe i kërkoi ushtrisë të respektojë demokracinë.
Pamjet në mediat sociale treguan një automjet të blinduar ushtarak duke u përpjekur të depërtonte në pallatin qeveritar në kryeqytetin, La Paz.
Arce foli drejtpërdrejt me Zuniga, i cili po përpiqej të depërtonte në pallatin e qeverisë dhe kërkoi një tërheqje të menjëhershme të trupave.
Në fjalimin e tij drejtuar kombit, presidenti bolivian i bëri thirrje publikut të qëndrojë i qetë.
"Presidenti dhe ministrat e Bolivisë janë në detyrë dhe i bëj thirrje popullit të mbrojë demokracinë. Ushtarët duhet të tërhiqen menjëherë dhe të kthehen në detyrat e tyre. Unë dua që ata të respektojnë demokracinë dhe Kushtetutën", tha Arce.
Me thirrjen e Arces, mijëra njerëz dolën në sheshe dhe protestuan kundër tentativës për grusht shteti ushtarak.
Me urdhër të komandantit të sapoemëruar të ushtrisë boliviane, Jose Wilson Sanchez, ushtarët që tentuan grushtin e shtetit u kthyen në kazermë.