Egjipti njoftoi të martën se është arritur një marrëveshje paraprake për të mbajtur një takim urgjent ministror të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) për të kundërshtuar zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, zhvilloi bisedime me homologët e tij nga vendet anëtare të OBI-së, përfshirë Arabinë Saudite, Pakistanin, Iranin dhe Jordaninë, për t'i diskutuar zhvillimet palestineze, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
"Këto diskutime rezultuan në një marrëveshje paraprake për të mbajtur një takim urgjent ministror të OBI-së pas samitit arab në Kajro më 27 shkurt", thuhet në deklaratë. Nuk është caktuar ende një datë specifike për takimin.
Takimi synon të "ripohojë qëndrimet e palëkundura palestineze, arabe dhe islamike mbi çështjen palestineze dhe të mbrojë të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez, mbi të gjitha të drejtën për vetëvendosje dhe për të jetuar në atdheun dhe tokën e tyre," thuhet në deklaratë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për marrjen e Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve në vendet fqinje, përfshirë Egjiptin dhe Jordaninë, një ide e refuzuar gjerësisht nga liderët palestinezë dhe arabë.
Propozimi i tij vjen në mes të një armëpushimi dhe një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve, e cila hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur përkohësisht luftën shkatërrimtare të Izraelit, e cila ka vrarë më shumë se 48.200 njerëz dhe e ka lënë enklavën në rrënoja.