Një urdhërarrest "i fortë" nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjND) kundër liderit të rrëzuar të Sirisë, Bashar al-Asad, është "vetëm çështje kohe," sipas një eksperti turk.
Levent Ersin Oralli, akademik në Universitetin Haci Bayram Veli të Ankarasë, i tha Anadolut se lideri i rrëzuar sirian Bashar al-Asad ka shkelur qartë Statutin e Romës dhe do të gjykohet në GjND për “shtypjen dhe trajtimin çnjerëzor të popullit sirian.”
Provat, të cilat u morën pas rënies së regjimit Baath më 8 dhjetor nga burgjet dhe varret masive të përdorura si qendra torturash nga regjimi i rrëzuar, do të heqin barrierat për ndjekjen penale të Asadit dhe do të lejojnë përgatitjen e një aktakuze të fortë, shtoi Oralli.
Pse Asadi nuk mund të ndiqej penalisht gjatë presidencës së tij?
Meqenëse Siria nuk është palë në Statutin e Romës, traktatin themelues të GjND-së, gjykata nuk ka juridiksion të drejtpërdrejtë mbi vendin.
Për të ndërhyrë GjND-ja, Siria duhet ose të pranojë juridiksionin e GjND-së ose Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të referojë çështjen në gjykatë. Në të kaluarën, një rezolutë e propozuar nga Franca për një referim të tillë u bllokua me veto nga Rusia.
Oralli vuri në dukje se gjatë sundimit të regjimit, sfida të tilla si rreziqet e sigurisë dhe rreziqet në rajon e bënin të vështirë mbledhjen e provave. Ai theksoi se me rënien e regjimit, zona është hapur për të gjithë aktorët në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë GjND-në.
Akademiku nënvizoi se në rastet kur nuk ka një sulm ndaj një shteti tjetër ose qytetarëve të tij, procesi ligjor bazohet në “disiplinë.” Megjithatë, veprime që shkelin ligjin ndërkombëtar, si vrasjet masive dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore, siç u pa në Siri, gjithmonë kanë pasoja, shtoi ai.
Nga ana e tij, Fadel Abdulghany, drejtues i Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), tha se Siria ishte nën diktaturë gjatë sundimit të Asadit, gjë që pengonte ndjekjen e tij penale.
Abdulghany shtoi se tani është më e lehtë të ngrihet një çështje kundër Asadit, i cili është bërë një i arratisur.
"Asadi është i mbrojtur nga aleanca me shtete të fuqishme si Rusia dhe Irani, të cilat kanë vendosur veto ndaj përpjekjeve për referime nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së te GjND-ja," tha Nousha Kabawat, drejtuesja e programit për Sirinë në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale.
A është i mundur ndjekja penale e Asadit të arratisur?
Sipas Nenit 12(3) të Statutit të Romës, një shtet që nuk është palë në Statut mund të paraqesë një deklaratë në GjND duke pranuar juridiksionin e tij. Me fjalë të tjera, nëse një qeveri e re në Siri njeh juridiksionin e GjND-së, kjo mund të hapë rrugën për ndjekjen penale të krimeve të Asadit.
Për më tepër, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund t’i kërkojnë GjND-së të hetojë krimet e Asadit, me kusht që të mos ketë veto.
Oralli tha se e drejta ndërkombëtare hyn në lojë kur ndodhin krime si gjenocidi, shkelje serioze të të drejtave të njeriut ose përdorimi i armëve kimike dhe biologjike gjatë luftërave civile, siç është rasti në Siri. Ai vuri në dukje se akuzat kundër regjimit të Asadit plotësojnë këto kritere.
Si mund të vazhdojë çështja kundër Asadit në GjND?
Procedurat në GjND mund të fillojnë ose përmes një referimi nga një shtet palë ose nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose nga Prokurori që nis një hetim në mënyrë të pavarur.
Kabawat shpjegoi se hapi i parë në procesin gjyqësor është nisja e një hetimi kundër Asadit, duke deklaruar: “Faza e gjykimit do të përfshinte paraqitjen e provave përpara një trupe gjyqësore ose gjykate, duke siguruar të drejtën e mbrojtjes së Asadit duke kërkuar drejtësi për viktimat."
Megjithatë, Kabawat theksoi se procesi gjyqësor mund të zgjasë vite dhe në fund varet nga bashkëpunimi dhe gatishmëria e shteteve për të ekstraduar të akuzuarit.
Mekanizma alternativë për ndjekjen penale të Asadit
Asadi mund të gjykohet jo vetëm nga GjND-ja, por edhe përmes gjykatave speciale ose hibride, gjykatave kombëtare ose në bazë të parimit të juridiksionit universal.
"Krimet e kryera nga Asadi janë të një natyre universale. Prandaj, të gjitha shtetet kanë të drejtë të ndjekin këto krime sipas ligjeve të tyre të brendshme, duke tejkaluar parimin territorial,” tha Oralli.
Abdulghany theksoi se paditë kundër Asadit mund të ngrihen në gjykata ndërkombëtare ose kombëtare, duke vënë në dukje se Asadi nuk ka më pushtet dhe se Rusia ka pak gjasa të rrezikojë marrëdhëniet e saj me Sirinë për ta mbrojtur atë.
"Asadi nuk është më i vlefshëm për Rusinë. Përkundrazi, ai është bërë një barrë për Rusinë ose ndonjë nga aleatët e tij. Ata duhet të hapin një faqe të re dhe duhet ta ekstradojnë Asadin," komentoi ai.
Kabawat tha se Asadi mund të gjykohet edhe jashtë GjND-së, duke theksuar rëndësinë e marrjes parasysh të vendimeve të dhëna kundër Asadit dhe zyrtarëve të tjerë të regjimit në vende si Franca dhe Zvicra.
Duke theksuar se ndjekja penale e Asadit është thelbësore për forcimin e llogaridhënies dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave të shtypjes, ajo shtoi se ky proces do të kontribuonte në paqen dhe pajtimin në Siri dhe do të krijonte bazat për rindërtimin e vendit.
Bashar al-Asad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963. Marrja e pushtetit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham kapën qytete kyçe në një ofensivë rrufe që zgjati më pak se dy javë.