Britania e Madhe dhe Franca nënshkruan një marrëveshje të re për ndalimin e emigrantëve që kalojnë përmes La Manche (Kanali Anglez).
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, postoi në Twitter një video të ceremonisë së nënshkrimit në Paris me sekretaren e Brendshme britanike, Suella Braverman.
Darmanin bëri të ditur edhe detajet e marrëveshjes së re për forcimin e përpjekjeve për ndalimin e kalimeve të paligjshme nga Franca në brigjet e Britanisë së Madhe.
"Britania e Madhe është zotuar të sigurojë 72,2 milionë euro për luftën kundër emigracionit të paligjshëm", tha ai.
Braverman theksoi nevojën për të bërë gjithçka të mundshme për të ndaluar kalimet e tilla.
"Kjo është një sfidë globale që kërkon zgjidhje globale dhe është në interesin e qeverisë britanike dhe franceze të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë problem të ndërlikuar", tha ajo.
"Foreign Office" britanike njoftoi se në muajt në vijim numri i zyrtarëve në veri të Francës do të rritet me 40 për qind.
"Marrëveshja e re vendos bazat e një bashkëpunimi më të thellë midis Britanisë së Madhe dhe Francës në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe shënon hapin e ardhshëm për një partneritet të ngushtë operacional midis dy vendeve që ka parandaluar mbi 30 mijë kalime këtë vit", shtohet në deklaratë.
Sipas marrëveshjes, numri i personelit kufitar do të rritet me 40 për qind, do të sigurohen fonde për pajisjet e reja të vëzhgimit dhe do të forcohet koordinimi dhe shkëmbimi i informacionit mes dy vendeve.
Më shumë se 40 mijë emigrantë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe me varka këtë vit.