Disa liderë evropianë hodhën poshtë të mërkurën planin e diskutueshëm të presidentit amerikan Donald Trump për të "marrë në dorë" Gazën dhe për të rivendosur me forcë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera.
Duke hedhur poshtë propozimin, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se e vetmja rrugë për paqe është një zgjidhje e negociuar me dy shtete.
“Është e qartë se Gaza – si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor – i përket palestinezëve”, tha Baerbock, duke paralajmëruar se dëbimi me forcë i popullsisë civile do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe do të nxiste urrejtje të mëtejshme.
Ajo theksoi se OKB-ja, BE-ja dhe G7-a kanë kundërshtuar vazhdimisht vendbanimet izraelite në territoret palestineze.
Franca gjithashtu hodhi poshtë propozimin e Trumpit, duke riafirmuar se Gaza duhet të mbetet pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez.
“E ardhmja e Gazës nuk duhet të përfshihet në perspektivën e kontrollit nga një shtet i tretë, por në kuadrin e një shteti të ardhshëm palestinez, nën kujdesin e Autoritetit Palestinez”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme franceze.
“Franca përsërit kundërshtimin e saj ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar të popullsisë palestineze të Gazës, e cila do të përbënte një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare, një sulm ndaj aspiratave legjitime të palestinezëve, por edhe një pengesë të madhe për zgjidhjen me dy shtete”, u shtua në deklaratë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi komentin e Trumpit në Gaza, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se palestinezët në Gaza "duhet të lejohen të kthehen në shtëpi, duhet të lejohen të rindërtohen, dhe ne duhet të jemi me ta në atë rindërtim në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete".
"Palestinezët e Gazës duhet të qëndrojnë në Gaza"
Spanja gjithashtu iu bashkua korit të mosmiratimit, me Ministrin e Jashtëm Jose Manuel Albares që hodhi poshtë me vendosmëri idenë e kontrollit të ShBA-së mbi Gazën.
Gaza është toka e palestinezëve të Gazës. Palestinezët e Gazës duhet të qëndrojnë në Gaza," tha Albares.
Spanja riafirmoi angazhimin e saj për një shtet të ardhshëm palestinez që përfshin Gazën si pjesë të territorit të tij.
Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë Andrzej Szejna shprehu mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete dhe theksoi nevojën për përfshirjen e Palestinës në procesin e paqes.
"Ashtu si në rastin e Ukrainës, ku ne themi se nuk mund të vendosni për Ukrainën pa Ukrainën, nëse flasim për procesin e paqes. Gjithashtu, nuk mund të vendosni për Palestinën pa palestinezët. Ky është qëndrimi i Polonisë," tha Szejna.
Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon kritikoi komentet e Trumpit si reflektim të një "injorance të thellë të historisë palestineze".
Duke folur nga Libani, Fajon paralajmëroi se propozime të tilla mund të çojnë në trazira dhe dhunë të mëtejshme dhe theksoi se palestinezët e refuzojnë plotësisht idenë e shpërnguljes nga atdheu i tyre.
Ministri i Parë skocez John Swinney gjithashtu dënoi propozimin, duke e quajtur çdo sugjerim për zhvendosjen e palestinezëve "të papranueshëm dhe të rrezikshëm".
Swinney theksoi se vuajtjet e njerëzve në Gaza nuk duhet të përkeqësohen nga planet për zhvendosje të detyruar, pas muajsh dhunë intensive dhe humbje të jetëve në rajon.
Reagim i mëtejshëm
Fushata e Solidaritetit të Palestinës (PSC) dënoi komentet e Trumpit, duke i përshkruar ato si "të paligjshme" dhe pjesë të një "plani grotesk" që do të çonte në spastrimin etnik masiv të 2,3 milionë palestinezëve.
"Ky është një plan për një krim me përmasa historike," tha PSC-ja, duke theksuar se plani do të shkelte ndalimin e Konventës së Gjenevës për transferimin me forcë të popullsisë.
Këshilli Mysliman i Britanisë e ka kritikuar planin e Trumpit, duke kërkuar veprim ndërkombëtar për rindërtimin e Gazës që udhëhiqet nga vetë populli palestinez.
Wajid Akhter, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Mysliman të Britanisë, paralajmëroi se çdo përpjekje për të rindërtuar Gazën përmes zhvendosjes, do të përbënte spastrim etnik.
"Rindërtimi pa zhvendosje nuk është vetëm i mundur, por është e vetmja rrugë e pranueshme përpara," tha ai.
Amnesty Denmark i bëri jehonë refuzimit të gjerë, me zëdhënësen Vibe Klarup duke bërë një krahasim të ashpër midis planit të Trumpit dhe pushtimit rus të Ukrainës.
"Ajo që Trumpi po mbron këtu është, para së gjithash, një pushtim i vërtetë i vendit të një populli tjetër," tha Klarup, duke shtuar se çdo kontroll i Gazës nga ShBA-ja do të ishte krim dhe një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar.
Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington të martën, Trump tha se ShBA-ja "do të marrë kontrollin" e Gazës pas zhvendosjes së palestinezëve në vende tjera, sipas një plani rizhvillimi, që ai pretendonte se mund ta kthente enklavën në "rivierën e Lindjes së Mesme".