Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, u bëri thirrje të gjithë aktorëve rajonalë të angazhohen në arritjen e paqes së qëndrueshme në konfliktin palestinezo-izraelit.
Gjatë konferencës për media me homologun e tij iranian Hossein Amir-Abdollahian në Ankara, Hakan Fidan tha se duhet të zhvillohet një platformë e domosdoshme që do të diskutohet në bisedimet gjithëpërfshirëse të paqes.
Ai shtoi se konferenca ndërkombëtare e paqës, tashmë e propozuar nga Türkiye, do të ishte platforma e përshtatshme, e cila po diskutohet me miqtë dhe aleatët.
Duke kritikuar qasjen e BE-së ndaj konfliktit Palestinë-Izrael, Fidan tha: "Fatkeqësisht, për shkak të qëndrimit të saj kolektiv, BE-ja nuk dëshiron të dëgjojë për termin 'armëpushim' (në Gaza)".
Ai gjithashtu tha se Türkiye nuk dëshiron që zhvillimet në Gaza të kthehen në një luftë që do të prekë vendet e tjera të rajonit.
Këtë javë ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që kur grupi palestinez Hamas filloi ofensivën e befasishme kundër Izraelit më 7 tetor.
Ministri i Jashtëm turk tha se "nuk mund të ketë standarde tjera për Ukrainën dhe tjera për Palestinën" dhe "nëse duam një botë të drejtë, ne duhet të veprojmë gjithmonë me integritet dhe konsistencë".
Fidan bëri të ditur se ishte arritur marrëveshje për evakuimin e afro 500 të huajve nga Gaza, kurse "negociatat janë duke vazhduar për të përfshirë edhe qytetarët turq".