Fidan në ShBA: Zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë      / Foto: AA

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan përsëriti thirrjen e tij për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

"Ajo që ne po përpiqemi të promovojmë është një zgjidhje e përhershme me dy shtete", u tha Fidan gazetarëve në Washington.

Fidan, së bashku me homologët e tij të caktuar nga një samit i përbashkët i jashtëzakonshëm arabo-islamik muajin e kaluar, po viziton ShBA-në për të bërë presion për një armëpushim në Rripin e Gazës, që ka qenë nën sulme të pamëshirshme izraelite për më shumë se dy muaj.

“Problemi tani është më i madh se vetë izraelitët dhe palestinezët", tha ai, duke shtuar: “Prandaj, ne mendojmë se qeveritë rajonale duhet të zgjidhin problemin dhe duhet të veprojnë me përgjegjësi”, tha Fidan.

Ai theksoi nevojën për një zgjidhje me dy shtete që duhet të arrihet pas një armëpushimi në Gaza për të shmangur një luftë tjetër në rajon.

Ai tha se kjo do të ishte ajo që komiteti ministror kërkoi të promovonte, duke vënë në dukje se një zgjidhje e tillë duhet të ishte një zgjidhje "strukturore".

Türkiye është e gatshme të japë çdo kontribut për të arritur këtë qëllim, theksoi Fidan.

Komiteti ka bërë presion për një zgjidhje me dy shtete dhe bëri thirrje për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet, bazuar në kufijtë e vitit 1967.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Të paktën 17.487 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 46.480 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga 7 tetori pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas.

TRT Balkan / agjencitë