Ministri i Jashtëm i Türkiyes Hakan Fidan ka biseduar në telefon me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm palestinez, Mohammad Mustafa. Sipas burimeve diplomatike, Fidan ndodhet në Riad për një seancë për situatën në Gaza, por ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin palestinez Mustafa.
Të dy zyrtarët diskutuan zhvillimet e fundit në Gaza dhe Bregun Perëndimor dhe vlerësuan përpjekjet për të bërë sa më shumë vende të jetë e mundur të njohin shtetin e Palestinës.
Në kundërshtim me vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku që nga 7 tetori, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, janë vrarë të paktën 34.454 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 77.575 të tjerë janë plagosur.
Lufta e Izraelit ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës në zhvendosje të brendshme me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas Kombeve të Bashkuara.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar ndihmën humanitare për civilët në Gaza.