Finlanda do të heq ngrirjen e ndihmës për Agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Pas akuzës së paprovuar izraelite se disa punonjës të UNRWA-së ishin përfshirë në sulmet e 7 tetorit, shumë vende, përfshirë Finlandën, në fund të janarit pezulluan pagesat për agjencinë e ndihmës në pritje të një hetimi.
"Përmirësimi i menaxhimit të rrezikut nga UNRWA-ja, që është parandalimi dhe fillimi i monitorimit të ngushtë për sjellje të pahijshme, ofron garanci të mjaftueshme për ne në këtë moment kohor për të vazhduar mbështetjen tonë", tha Ville Tavio, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe të Zhvillimit, në një konferencë për media në Helsinki.
Vendimi përfundimtar erdhi pasi Komisioni Evropian (KE) në fillim të këtij muaji njoftoi se do të lëshojë 50 milionë euro në financimin e UNRWA-së. Menjëherë pasi KE-ja shpalli vendimin e tij, Suedia dhe Kanadaja vazhduan ndihmën, duke përmendur situatën humanitare në Gaza.
Më herët, ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Espen Barth Eide, i kërkoi botës të qëndrojë pranë agjencisë, duke theksuar se "tani është pikërisht koha e gabuar për të ndalur financimin e UNRWA-së".
"Nëse këto vendime nuk anulohen, ne seriozisht rrezikojmë të përkeqësojmë krizën e tmerrshme humanitare në Gaza", tha ministri norvegjez. UNRWA-ja u formua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më shumë se 70 vjet më parë për të ndihmuar palestinezët që u zhvendosën me forcë nga toka e tyre.
Agjencia ofron mbështetje thelbësore për miliona refugjatë palestinezë në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban, Siri dhe në zona të tjera ku jetojnë një numër i madh i palestinezëve të regjistruar.
Siç shkruan gazeta zvicerane "Tages-Anzeiger", komisari i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, akuzoi Tel Avivin se ka një "qëllim politik afatgjatë" për të "shkatërruar" Agjencinë e ndihmës së OKB-së dhe idenë se palestinezët janë refugjatë me të drejtën për t'u kthyer në shtëpi një ditë.
"Për momentin, kemi të bëjmë me një fushatë izraelite të zgjeruar dhe të përqendruar, e cila synon të shkatërrojë UNRWA-në", tha Lazzarini në intervistën e publikuar muajin e kaluar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, mbi 32 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Në fillim të këtij muaji, OKB-ja paralajmëroi Këshillin e Sigurimit për "uri të afërt në Rripin e Gazës", duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të parandaluar një fatkeqësi humanitare në territorin palestinez, ku shumë anëtarë të këshillit paralajmëruan se Izraeli po përdor "urinë si një armë lufte".
Sipas një njoftimi për media nga OKB-ja, drejtori i koordinimit në Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Ramesh Rajasingham, tha se të paktën 576 mijë njerëz në Gaza, respektivisht një e katërta e popullsisë së enklavës, janë "një hap larg urisë".
OKB-ja thekson se ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë për "kolaps të plotë bujqësor në veri të Gazës deri në muajin maj" nëse kushtet vazhdojnë. "Fatkeqësisht, sado e zymtë që të jetë fotografia që shohim sot, ekziston çdo mundësi për përkeqësim të mëtejshëm", tha Rajasingham.