Pas samitit në Rio de Zhaneiro të Brazilit, liderët e vendeve të G20-s kanë lëshuar një deklaratë në lidhje me ngjarjet në Gaza, Liban dhe Ukrainë.
Ata shprehën "shqetësim të thellë për situatën katastrofike humanitare në Rripin e Gazës", si dhe përshkallëzimin në Liban dhe theksuan nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmave në enklavën palestineze.
Në deklaratë theksohet se të gjitha pengesat për dërgimin e ndihmave humanitare duhet të hiqen.
"U shpreh nevoja urgjente për shtimin e ndihmës humanitare dhe forcimin e mbrojtjes së civilëve. U konfirmua përkushtimi ndaj vizionit të zgjidhjes me dy shtete”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Mes tjerash ata përkujtuan se rreth 45.000 njerëz në Rripin e Gazës dhe 3.500 njerëz në Liban u vranë nga sulmet izraelite.
Gjithashtu në deklaratën e përbashkët u përfshinë edhe vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga lufta ruso-ukrainase.
Ata vunë në dukje efektet negative të luftës në sigurinë globale të ushqimit dhe energjisë, zinxhirët e furnizimit, stabilitetin makro-financiar dhe rritjen e inflacionit.
Deklarata theksoi rëndësinë e zgjidhjes së konflikteve në mënyrë paqësore.
"Të gjitha iniciativat përkatëse dhe konstruktive që mbështesin një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme janë të mirëseardhura. Përveç përpjekjeve për t'i dhënë fund konflikteve dhe krizave, diplomacia dhe dialogu janë thelbësore. Qëndrueshmëria dhe prosperiteti mund të arrihen vetëm nëpërmjet paqes", thuhet në deklaratë.
Në deklaratë u tërhoq vëmendja për vendosmërinë e vendeve të G20-s në luftën kundër krizës klimatike.
"Duhen më shumë financime për vendet e varfra. U theksua se bashkëpunimi dhe mbështetja ndërkombëtare duhet të rritet për të rritur financimet dhe investimet publike dhe private për klimën, veçanërisht për vendet në zhvillim. Sistemi ekonomik ndërkombëtar duhet të inkurajohet për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbështetja duhet të rritet”, u theksua në deklaratë.
Liderët e G20-s po ashtu nënvizuan se është e rëndësishme të intensifikohen përpjekjet për mbrojtjen dhe ruajtjen e qëndrueshme të pyjeve.
Duke adresuar sfidat me të cilat përballen komunitetet lokale dhe popujt autoktonë, deklarata angazhohet për mobilizimin e burimeve të reja për pyjet.
Samiti diskutoi gjithashtu propozimin e Brazilit për të krijuar një taksë globale për super të pasurit.