Gaza, 108 ditë në breshërinë e sulmeve izraelite.    /Foto: AP

Në 108 ditët e fundit, sulmet e ushtrisë izraelite kanë vrarë 11.000 fëmijë dhe 7.500 gra në Rripin e Gazës, tha të hënën zyra për media e Qeverisë në Gaza.

Bazuar në deklaratat e autoriteteve në Gaza, 7.000 njerëz, prej të cilëve 70% janë gra dhe fëmijë, ende janë nën rrënoja ose të zhdukur nga sulmet izraelite.

Numri i trupave që arrijnë në spitale, siç raportojnë autoritet shëndetësore, e ka tejkaluar numrin prej 25.900 palestinezëve. Kurse mbi 63.000 njerëz janë plagosur që nga 7 tetori i kaluar, kur filloi fushata e pamëshirshme e Izraelit në Gaza pas një sulmit ndërkufitarë nga grupi palestinez Hamas që sipas Izraelit vrau rreth 1.200 njerëz.

Po ashtu, rreth 70.000 shtëpi janë shkatërruar plotësisht nga sulmet izraelite, dhe 290.000 shtëpi janë bërë të pabanueshme.

Në lidhje me sulmet izraelite në sektorin e kujdesit shëndetësor, sipas njoftimit të Qeverisë në Gaza, deri më tani janë vrarë 337 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe 45 zyrtarë të mbrojtjes civile.

Prej 7 tetorit, gjithsej 119 gazetarë kanë humbur jetën në sulmet izraelite në Gaza.

Sulmet hodhën në krizë kujdesin shëndetësor

Forcat izraelite mes tjerahs kanë arrestuar 99 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe 10 gazetarë dhe rreth dy milionë njerëz u zhvendosën në Rripin e Gazës.

Duke treguar për kushtet çnjerëzore në strehimoret e mbushura me njerëz ku kërkojnë strehim palestinezët e zhvendosur, autoritet në Gaza thonë se janë zbuluar 400.000 raste të sëmundjeve infektive dhe më shumë se 8.000 raste të hepatitit A, si rezultat i zhvendosjes së detyruar të Izraelit.

Aktualisht rreth 60.000 gra shtatzëna në Gaza përballen me rreziqe kritike për shkak të pamundësisë për të ofruar kujdes shëndetësor, ndërsa 350.000 individë me sëmundje kronike po përballen me rreziqe serioze për shkak të mungesës së ilaçeve.

Ushtria izraelite shkatërroi 140 objekte qeveritare, si dhe 99 shkolla dhe universitete, ndërsa dëmtoi pjesërisht 295 shkolla dhe universitete.

Jashtë Gazës, ka 11.000 të lënduar që kanë nevojë për trajtim, dhe 10.000 pacientë me kancer po përballen me rrezikun e vdekjes për shkak të kujdesit të pamjaftueshëm shëndetësor.

Ata thonë se ushtria izraelite dëmtoi 253 xhami dhe gjithashtu shkaktoi shkatërrimin e tre kishave.

“Izraeli ka vënë në shënjestër 150 institucione të kujdesit shëndetësor në Gaza, ka bërë jofunksionale 53 qendra shëndetësore dhe 30 spitale dhe i ka bërë të papërdorshme 122 ambulanca”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në Gaza.

Izraeli gjatë 108 ditëve të kaluara gjithashtu vuri në shënjestër trashëgiminë kulturore të Palestinës, duke shkatërruar 200 pasuri historike dhe kulturore në Gaza.

Ndryshe, gjatë sulmeve të deritanishme në Gaza, sipas autoriteteve qeveritare ushtria izraelite ka lëshuar më shumë se 65.000 tonë eksploziv.

TRT Balkan / agjencitë