Gaza, 22 palestinezë humbën jetën në sulmet e ushtrisë izraelite / Photo: AA

Të paktën 22 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet e ushtrisë izraelite ndaj Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, të paktën pesë palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite ndaj shtëpisë së familjes al-Terturi në rrugën Abu Husayra në perëndim të qytetit të Gazës.

Si pasojë e bombardimit të avionëve luftarakë izraelitë ndaj shtëpisë që i përkiste familjes Hejazi në lagjen Sabra në jug të qytetit të Gazës, dy gra palestineze humbën jetën, ndërsa disa të tjerë u plagosën dhe disa kanë mbetur nën rrënoja.

Gjithashtu, thuhet se të paktën katër palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit nga avionët luftarakë izraelitë të shtëpisë që i përket familjes Hatib në lagjen Al-Jenina në lindje të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Ndërkohë, gjashtë palestinezë humbën jetën si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite ndaj një shtëpie të familjes Hajavat në kampin e refugjatëve Al-Shabura në qendër të Rafah në të cilën qëndronin palestinezë të zhvendosur.

Më tej, njoftohet se 5 palestinezë humbën jetën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Abu Taha në Rafah.

Në Rripin e Gazës me një popullsi prej rreth 2,3 milionë banorësh po përjetohet një katastrofë e madhe humanitare për shkak të pengesës për hyrjen e ndihmave humanitare dhe si pasojë e vazhdimit të sulmeve nga ushtria izraelite duke shënjestruar vendbanimet civile, spitalet, shkollat ​​dhe strehimoret e palestinezëve të zhvendosur që nga 7 tetori 2023.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, 34.454 palestinezë, përfshirë të paktën 14.685 fëmijë dhe 9.670 gra, u vranë dhe 77.575 njerëz u plagosën.

Ndërsa njoftohet se nën rrënoja ka ende mijëra të vdekur, se infrastruktura civile po shkatërrohet dhe se janë vendosur në objektiv edhe spitalet e institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.

TRT Balkan / agjencitë