Gaza 28 ditë nën sulme izraelite: 9.227 palestinezë të vrarë.    /Foto: AP

Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 9.227 palestinezë, përfshirë 166 në 24 orët e fundit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, duke folur nga spitali Shifa, tha se 166 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet e kryera nga Izraeli në 24 orët e fundit.

Një zyrtar palestinez tha se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori ishte rritur në 9.227, duke përfshirë 3.826 fëmijë dhe 2.405 gra, dhe të paktën 23.516 persona u plagosën.

Ai deklaroi se ka ende njerëz në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet izraelite.

Qudra theksoi se 2.100 persona janë të zhdukur, duke përfshirë 1.200 fëmijë.

Ai theksoi se Izraeli vazhdon të sulmojë sistemin shëndetësor të Gazës.

Ai ka theksuar se deri më tani janë vrarë 136 punëtorë shëndetësorë, ndërsa janë shkatërruar 25 autoambulanca.

Duke vënë në dukje se Izraeli kishte shënjestruar 102 objekte shëndetësore, Qudra tha se 16 spitale dhe 32 qendra shëndetësore ishin jashtë shërbimit për shkak të mungesës së karburantit ose bombardimeve.

Ai tha se për shkak të mbylljes së rrugëve ndërmjet veriut dhe jugut të Rripit të Gazës, Izraeli i pengoi të lënduarit në veri të Gazës të largoheshin nga rajoni dhe të shkonin në Egjipt për trajtim.

Lidhur me mungesën e karburanteve në spitale, Qudra deklaroi se në spitalin Shifa, objekti më i madh shëndetësor në Gaza, ku ka mijëra të lënduar dhe civilë, funksionon me gjeneratorët dytësorë dhe në funksion janë vetëm repartet.

Ai tha se spitali do të mundohet që të ketë energji elektrike për katër orë në ditë.

Shtoi se mungesa e energjisë elektrike në repartet ku janë vendosur pacientët vështirëson monitorimin e gjendjes dhe ndërhyrjen mjekësore.

Duke përsëritur thirrjen e tij për dërgimin e karburanteve në spitale, Qudra u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare për "ndihmë urgjente përpara se të ndodhë një fatkeqësi humanitare".

Ai kujtoi se spitali i miqësisë Turko-Palestineze, e vetmja qendër ku trajtohen pacientët me kancer në Rripin e Gazës, është jashtë funksionit për shkak të sulmit dhe mungesës së karburantit.

Duke përsëritur thirrjen e tij për ndihmë për të shpëtuar rreth 10.000 pacientë me kancer, Qudra tha se katër pacientë me kancer kanë vdekur.

TRT Balkan / agjencitë