Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 ka arritur në 39.929.
Në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, janë publikuar informacione për sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë 312 ditëve të fundit.
Sipas raportimeve, ushtria izraelite kreu dy masakra në pjesë të ndryshme të Gazës vetëm në 24 orët e fundit, duke vrarë 32 palestinezë dhe duke plagosur 88 të tjerë.
Me këtë, numri i të vrarëve në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori u rrit në 39.929, ndërsa numri i të plagosurve në 92.240.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se ka ende të vdekur nën rrënoja dhe në anë të rrugës, por për shkak të pengesave të forcave izraelite, ekipet mjekësore dhe pjesëtarët e mbrojtjes civile nuk mund të arrijnë në trupat e tyre.
Izraeli ka vazhduar një ofensivë brutale ushtarake në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 pas një sulmi të Hamasit, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Pas më shumë se dhjetë muajsh sulmesh izraelite, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli është akuzuar për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND), e cila e urdhëroi atë të përfundojë menjëherë një operacion ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta përpara se të sulmohej më 6 maj.