Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se 180 gra lindin çdo ditë në Gaza në kushte “të rrezikshme” dhe “çnjerëzore” për shkak të sulmeve dhe pushtimit izraelit.
“Në Gaza, 180 gra lindin çdo ditë në kushte të rrezikshme dhe çnjerëzore. Shumë prej tyre nuk janë në gjendje të arrijnë në spitale për shkak të qëndrimit në zona të rrethuara, ndërsa forcat izraelite pengojnë ambulancat që të arrijnë deri tek ato”, thuhet në komunikatën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Për të theksuar ashpërsinë e situatës, organizata humanitare shpërndau audio-regjistrime në “X”.
Regjistrimet dokumentuan biseda telefonike midis ekipeve shëndetësore dhe familjes së një gruaje shtatzënë në Rripin e Gazës e cila nuk mundi të arrinte në spital në kohë për të lindur.
Sipas audio-regjistrimeve, një mjek palestinez i Gjysmëhënës së Kuqe drejton dhe ndihmon familjen duke synuar të mundësojë një lindje të sigurt në shtëpi për gruan që ishte në bisedë me motrën e saj.
Përfaqësuesi i Fondit të Popullsisë të OKB-së (UNFPA) për Palestinën, Dominic Allen, tha në një konferencë virtuale për shtyp të shtunën nga Kudsi se 18.000 lindje kanë ndodhur në Gaza në 100 ditët e fundit.
Ai theksoi se UNFPA-ja nuk mund të sigurojë furnizime të mjaftueshme dhe gjendja në spitale është e rëndë.
Allen tha se 5.500 gra priten të lindin në muajt e ardhshëm dhe shprehu shqetësimin për luftën e tyre me mungesën e ujit, mungesën e ushqimit dhe aksesin e kufizuar në trajtim.
Ai theksoi rreziqet vdekjeprurëse të përfshira dhe nënvizoi urgjencën e parandalimit të tragjedive të tilla.
45.000 shtatzëna dhe 68.000 gra gjidhënëse në Gaza përballen me vdekjen
UNFPA-ja njoftoi më 17 dhjetor se 45.000 gra shtatzëna dhe 68.000 gra gjidhënëse Gaza ishin në rrezik të anemisë, gjakderdhjes dhe madje edhe vdekjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, tha në një deklaratë të 1 janarit se për shkak të mosplotësimit të nevojave të 50.000 grave shtatzëna në qendrat që strehojnë të zhvendosurit nga sulmet në Rripin e Gazës, pacientët po përballen me probleme ushqimore dhe shëndetësore.
Al-Qudra u bëri thirrje urgjentisht agjencive të OKB-së që të ndërhyjnë për të shpëtuar fëmijët dhe gratë shtatzëna nga situata.