Gaza, fëmija 6-vjeçar vdes nga kequshqyerja mes bllokadës izraelite / Photo: AA

Një djalë gjashtëvjeçar palestinez, Hikmat Raad Badir, vdiq të hënën nga kequshqyerja e rëndë e shkaktuar nga një bllokadë gjymtuese izraelite në Rripin qendror të Gazës, sipas xhaxhait të tij.

Ahmed Badir tha se familja e tij ishte zhvendosur nga Gaza veriore në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aksa në qytetin qendror të Deir al-Balah.

“Shkuam atje me shpresën për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe ushqimin thelbësor për Hikmatin,” tha ai.

“Fatkeqësisht edhe këtu nuk ka ushqime të përshtatshme për fëmijë apo për trajtim, kështu që shëndeti i tij u përkeqësua.

"Nuk janë vetëm fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja, por edhe të rriturit në kushtet e vështira të jetesës për shkak të luftës izraelite," tregoi xhaxhai i fëmijës.

Muajin e kaluar, Dr. Husam Abu Safiya, drejtori i spitalit Kamal Adwan në Gazën veriore, njoftoi vdekjen tragjike të katër fëmijëve për shkak të kequshqyerjes së rëndë.

Abu Safiya zbuloi se spitali kishte raportuar mbi 250 raste të kequshqyerjes së fëmijëve brenda vetëm dy javësh.

“Gaza përballet me një katastrofë të vërtetë shëndetësore, një katastrofë që fillon me fëmijët, por në fund mund të prekë edhe të rriturit”, paralajmëroi ai.

Situata në Gaza mbetet e rëndë, me sistemin e kujdesit shëndetësor që po shkatërrohet si rrjedhojë e sulmeve të pamëshirshme izraelite në enklavën e rrethuar.

AA