Një zyrtar i Hamasit të dielën tha se diskutimet për një marrëveshje tjetër shkëmbimi pengjesh me Tel Avivin nuk janë të mundur derisa ushtria izraelite të tërhiqet nga Rripi i Gazës dhe të zbatojë armëpushim të përhershëm.
Përfaqësuesi i Hamasit me bazë në Liban, Khalil al-Haye, tha për Al Jazeera se do të vazhdojnë rezistencën e tyre kundër Izraelit në enklavën e rrethuar. Ai theksoi nevojën për një armëpushim gjithëpërfshirës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza përpara se të flasin për çështjen e pengjeve dhe të të burgosurve.
Në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës, që nga sulmi Hamasit më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 18.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë ndërsa janë plagosur mijëra të tjerë. Lufta e ka kthyer Gazën në gërmadha, ku gjysma e banesave të territorit bregdetar janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa rreth dy milionë njerëz janë zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.
Rreth 240 persona janë marrë peng nga Hamasi gjatë ofensivës më shumë se dy muaj më parë, rreth 130 ende mbahen si pengje ndërsa të tjerët u liruan në shkëmbim gjatë marrëveshjes së armëpushimit të përkohshëm muajin e kaluar.
Ushtarët izraelitë qëlluan dhe vranë tri pengje izraelite në Gazën veriore pas një gabimi duke i identifikuar ata si kërcënim, sipas zëdhënësit të ushtrisë.
Duke komentuar shprehjen "ditën e ardhshme", e cila po përdoret nga qarqet izraelite që pretendon skenarët e pasluftës së Gazës dhe post-Hamasit, Al-Haye tha: "Fitorja jonë është ditën e ardhshme në Gaza. Kushdo që mendon për atë që vjen post-Hamas është duke ëndërruar. Ne nuk do të ndalojmë nga mbrojtja e popullit tonë deri në çlirimin e vendeve dhe tokave tona të shenjta".
Në vazhdim ai foli edhe për aftësitë e grupit për të rezistuar kundër Izraelit për muaj të tërë, duke siguruar se rezistenca është në gjendje të mirë dhe e vendosur. Populli ynë nuk do të ngrejë kurrë flamurin e dorëzimit, ai do të qëndrojë në tokën e tij dhe do të mbështesë rezistencën", tha Al-Haye.
Al-Haye tha se Gaza, Bregu Perëndimor dhe e gjithë Palestina janë një dhe populli i saj është ai që do të vendosë për administrimin e tyre. "E ardhmja e Gazës është e lidhur me të ardhmen e Kudsit dhe gjithë Palestinës dhe ne jemi pjesë e popullit tonë".
Ai theksoi nevojën urgjente për qindra kamionë ndihma në Gaza çdo ditë, duke u kërkuar vendeve arabe dhe islame të ushtrojnë presion për dërgimin e ndihmave humanitare. "Izraeli okupues po godet Gazën me dy armë: bomba dhe uri", shtoi Al-Haye.