Të paktën 93 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit ndaj një ndërtese banimi në Beit Lahia në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Avionët luftarakë izraelitë goditën një ndërtesë 5-katëshe në të cilën ndodheshim më shumë se 200 persona, njoftoi Zyra për media e qeverisë së Gazës. "Të paktën 93 njerëz u vranë, dhjetëra u plagosën, ndërsa mbi 40 janë ende të zhdukur", shtoi ajo në një deklaratë. Sipas zyrës për media, shumica e njerëzve brenda ndërtesës ishin gra dhe fëmijë, të zhvendosur, shkaku i sulmeve izraelite.
"Ky krim i ri vjen paralelisht me planin e okupimit për ta shkatërruar sistemin shëndetësor në veri të Gazës dhe për të vënë katër spitale jashtë shërbimit atje, krahas parandalimit të hyrjes së ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore", thuhet në deklaratë.
Sipas dëshmitarëve, banorët vendas nxorën dhjetëra trupa të vdekur dhe njerëz të plagosur nga rrënojat e ndërtesës së shkatërruar. "Personeli mjekësor nuk është në gjendje të hyjë në zonë për shkak të sulmeve izraelite në mes të një kolapsi të shërbimit shëndetësor", tha një nga dëshmitarët.
Marwan al-Hams, drejtori i spitaleve fushore në Gaza, tha se numri i kufizuar i mjekëve në veri të Gazës e bën të pamundur trajtimin e numrit të madh të viktimave nga sulmi. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dërgojë ekipe mjekësore për të ofruar ndihmë mjekësore për të plagosurit në veri të Gazës.
Ushtria izraelite ka vazhduar sulmin vdekjeprurës në veri të Gazës që nga 5 tetori për ta parandaluar Hamasin nga rigrupimi, duke zbatuar një rrethim shkatërrues në zonë. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se synon ta pushtojë zonën dhe t'i zhvendosë me forcë banorët e saj.
Më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë në veri të Gazës që nga fillimi i ofensivës, sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile Palestineze. Sulmi i sotëm ishte episodi i fundit në luftën brutale izraelite në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Mbi 43 mijë palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 101 mijë të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu po përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për veprimet e tij në Gaza.