Dy mijë mjekë që punojnë në spitalet në pjesën veriore të Rripit të Gazës nuk kanë ngrënë vakte për të prishur agjërimin e tyre gjatë detyrës në ditën e parë të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Palestinës.
“Personeli mjekësor është shumë i ekspozuar ndaj urisë që po prek pjesën veriore të Rripit të Gazës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra.
Ai u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare humanitare që të përgjigjen urgjentisht për të siguruar ushqime për personelin mjekësor.
Palestinezët në Gaza, si shumica e myslimanëve anembanë botës, shënuan ditën e parë të Ramazanit të hënën nën bombardimet e vazhdueshme izraelite të akuzuara për gjenocid në gjithë Rripin e Gazës.
Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.
Sulmet, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgimi i ndihmave mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar katastrofën humanitare.
Prej datë 7 tetor të vitit të kaluar, të paktën 31.112 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.