Gaza: Thirrjet për zhvendosjen e popullatës në jug, "luftë psikologjike".    /Foto: AA

Zyra për media e qeverisë në Gaza u bëri thirrje sot banorëve të injorojnë thirrjen e Izraelit për të zhvendosur gjithë popullsinë e pjesës veriore të Rripit në zonat jugore.

"Okupatori po përpiqet të transmetojë dhe të shpërndajë disa lajme të rreme propagandistike në mënyra të ndryshme, duke synuar të krijojë konfuzion te banorët dhe të dëmtojë kohezionin e frontit tonë të brendshëm", thuhet në një komunikatë të zyrës në Gaza.

"Ndër këto tentativa është edhe ajo që po thuhet për kërkesën e disa punonjësve të institucioneve ndërkombëtare që të shkojnë në jug", thuhet më tej.

"Ushtria izraelite informoi OKB-në se e gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orëve të ardhshme", tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një deklaratë të enjten vonë.

Deklarata erdhi mes raporteve izraelite që thonë se ushtria izraelite është gati të nisë një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës dhe është në pritje të miratimit në nivel politik.

Zyra e qeverisë u bëri thirrje banorëve "të mos merren me këto përpjekje që vijnë në kuadër të luftës psikologjike", duke shtuar se "ekuipazhet e këtyre institucioneve janë ende në vend".

TRT Balkan / agjencitë