Gaza, zjarr në spitalin "Kamal Adwan" si pasojë e një sulmi izraelit       / Foto: AA

Drejtori i spitalit "Kamal Adwan" në veri të Rripit të Gazës, Husam Abu Safiyye, tha se një zjarr shpërtheu në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit si pasojë e një sulmi të ushtrisë izraelite.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale dhe të xhiruar para repartit ku po dilte tymi, Abu Safiyye deklaroi se zjarri u hap "papritmas dhe në mënyrë të egër" me lloje të ndryshme armësh në zonën ku ndodhet reparti i kujdesit intensiv të spitalit. Ai shtoi se forcat izraelite shënjestruan posaçërisht njësinë e kujdesit intensiv dhe hapën zjarr në këtë zonë.

"Ne arritëm mrekullisht të evakuonim pacientët që ishin në ventilatorë në njësinë e kujdesit intensiv", tha Abu Safiyye.

Duke e cilësuar situatën në repartin e terapisë intensive si të rëndë dhe të rrezikshme, Abu Safiyye deklaroi se stafi i spitalit u përpoq të shuante zjarrin me mjete të thjeshta në spital, i cili prej 8 ditësh po përballet me mungesë uji që kur ushtria izraelite shënjestroi rezervuarët dhe rrjetin i ujit.

Drejtori i spitalit "Kamal Adwan", Abu Safiyye, tha: "Aktualisht, njësia e kujdesit intensiv është jashtë shërbimit dhe situata është katastrofike. Ne kemi kërkuar mbrojtje nga bota për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit e tij për më shumë se 75 ditë, por nuk kemi marrë ende përgjigje".

TRT Balkan / agjencitë