Gjashtë fish më shumë fëmijë e gra u vranë në Gaza se në luftën e Ukrainës.    /Foto: AA

Numri i grave dhe fëmijëve të vrarë në Rripin e Gazës, ku Izraeli po kryen sulme që nga 7 tetori i vitit 2023, tregon më së miri brutalitetin që po ndodh në këtë zonë.

Sipas të dhënave të mbledhura nga gazetarët e Anadolu Agency, numri i grave dhe fëmijëve të vrarë në Rripin e Gazës është më shumë se gjashtë herë më i lartë se numri i grave dhe fëmijëve të vrarë në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila zhvillohet tashmë për dy vjet rresht.

Forcat izraelite nga ajri, toka dhe deti vazhdojnë të bombardojnë Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2,3 milionë palestinezë.

Sipas burimeve palestineze, Izraeli përdori më shumë se 66 mijë tonë eksploziv në këto sulme, që do të thotë se 183 tonë eksploziv u hodhën për kilometër katror në Gaza.

Rripi i Gazës u la në gërmadha në sulmet brutale dhe 1,9 milionë palestinezë u zhvendosën në zonë.

Deri më tani, 29.500 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite dhe 69.465 persona janë plagosur. Të paktën 12.660 nga të vrarët në sulmet janë fëmijë, përfshirë edhe 8.570 gra.

Po ashtu më shumë se 70 për qind e të plagosurve janë gra dhe fëmijë. Mijëra të vdekur janë ende nën rrënoja dhe infrastruktura civile është shkatërruar nga sulmet ndaj spitaleve dhe institucioneve arsimore ku shumë njerëz janë strehuar.

Palestinezët, të cilët po përpiqen të mbijetojnë duke ikur nga sulmet izraelite, po luftojnë me urinë për shkak të kufizimeve të vendosura nga administrata e Tel Avivit për dërgimin e ndihmës në rajon.

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar se 2,2 milionë njerëz janë në rrezik nga uria në Rripin e Gazës.

Sipas OKB-së, rreth 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e shkallës së pestë, e cila konsiderohet një "katastrofë", dhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e shkallës së katërt, e njohur si "emergjencë".

Niveli i pasigurisë akute ushqimore në Rripin e Gazës ka arritur në 16,2 përqind, duke tejkaluar pragun prej 15 për qind të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si "kritike".

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka vendosur të pezullojë shpërndarjen e ndihmave ushqimore në veri të Rripit të Gazës për shkak të sulmeve izraelite deri në ndryshimin e kushteve në terren.

Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Mesme (UNRWA) njoftoi gjithashtu se palestinezët janë në prag të urisë në Rripin verior të Gazës, ku Izraeli ka shkaktuar një fatkeqësi humanitare nga uria e detyruar.

Palestinezët, veçanërisht ata që jetojnë në veri të Rripit të Gazës, janë të detyruar të konsumojnë ushqim për kafshët duke e bluar atë, sepse nuk mund të gjejnë miell.

Dy vjet luftë Rusi-Ukrainë

Nga ana tjetër, kanë kaluar dy vjet nga fillimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe sipas të dhënave të publikuara më 7 shkurt nga Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë (HRMMU), 10.378 civilë kanë vdekur në vend që nga viti fillimi i luftës, duke përfshirë 579 fëmijë dhe 2.992 gra, respektivisht 19.632 civilë janë plagosur.

Prej tyre, 8.095 vdiqën në territorin e Ukrainës, dhe 2.283 në territorin e aneksuar ilegalisht nga Rusia.

Prandaj, numri i grave dhe fëmijëve të vrarë nga Izraeli në Gaza që nga 7 tetori është më shumë se gjashtëfishi i numrit të grave dhe fëmijëve të vrarë në luftën Rusi-Ukrainë.

Pas shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë, miliona ukrainas, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u desh të largoheshin nga vendi i tyre për shkak të sulmeve dhe të iknin në vendet fqinje.

Vendet evropiane, të cilat kanë mbështetur Ukrainën që nga fillimi i luftës, mirëpritën civilët, kryesisht gra dhe fëmijë.

Nga ana tjetër, 2,3 milionë palestinezë në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadë tokësore, ajrore dhe detare izraelite që nga viti 2007, janë bllokuar në një sipërfaqe prej rreth 360 kilometra katrorë.

Për shkak të sulmeve të ashpra izraelite, palestinezët nuk mund të gjejnë një vend të sigurt në Gaza.

Për shkak të sulmeve në pjesët veriore dhe qendrore të Rripit të Gazës dhe rajonit Khan Younis në jug, rreth 1,5 milion palestinezë u strehuan në qytetin 64 kilometra katror të Rafahut.

Ekipet e gazetarëve të Anadolu Agency kanë fotografuar dhe monitoruar situatën e civilëve në Gaza dhe Ukrainë që në ditët e para të luftës.

Fotot dhe videot e shumta tregojnë qartë përmasat e luftës në Ukrainë si dhe brutalitetin e sulmeve izraelite në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë