Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi se territoret e pushtuara palestineze përbëjnë një “unitet të vetëm territorial”, i cili do të mbrohet dhe respektohet.
Duke theksuar se rregulloret e Hagës janë bërë pjesë e së drejtës zakonore ndërkombëtare, dhe si rrjedhim janë të detyrueshme për Izraelin, gjykata tha: "Mbrojtja e ofruar nga Konventa e të Drejtave të Njeriut nuk pushon në rast konflikti të armatosur ose okupimit".
Në lidhje me pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli, gjykata vuri në dukje se "shfrytëzimi i burimeve natyrore" nga Izraeli në territorin e pushtuar palestinez është "në kundërshtim me detyrimin e tij" për të respektuar të drejtën e palestinezëve për sovranitet.
Më veçanërisht, në lidhje me dëbimet me forcë në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, gjykata theksoi se politikat dhe praktikat e Izraelit shkelin ndalesën e Konventës së 4-të të Gjenevës për transferimin me forcë të popullsive të mbrojtura.
“Politika e vendbanimeve e Izraelit është në kundërshtim me Konventën e 4-të të Gjenevës,” tha GjND-ja.
Gjykata tha se politikat dhe praktikat e Izraelit përbëjnë aneksimin e pjesëve të mëdha të territorit të pushtuar palestinez dhe se ajo "nuk është e bindur" se shtrirja e ligjit izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor është i justifikuar.
GjND-ja gjithashtu pohoi se Izraeli ka qenë në gjendje të ushtrojë autoritet kyç mbi Rripin e Gazës pavarësisht tërheqjes së pranisë së tij ushtarake në 2005.
Gjithashtu, GjND-ja vlerëson se Izraeli ka detyrim t'i japë fund pranisë së tij në territorin e pushtuar palestinez “sa më shpejt të jetë e mundur”.
GjND-ja thotë se të gjitha shtetet janë të detyruara të mos njohin si ligjore situatën që rrjedh nga “prania e paligjshme” e Izraelit në territorin e pushtuar palestinez.
GjND-ja konsideron se e drejta e palestinezëve për të pasur 'shtet të pavarur dhe sovran', që jeton krah për krah në paqe me Izraelin, do të kontribuonte në stabilitetin rajonal.