Grupet palestineze gati për marrëveshjen për t'i dhënë fund luftës në Gaza       / Foto: AA

Lëvizja palestineze Hamas dhe Xhihadi Islamik shprehën "gatishmërinë për t'u angazhuar pozitivisht" në arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Gaza, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

Hamasi dhe Xhihadi Islamik njoftuan se një delegacion i përbashkët nga të dyja lëvizjet e ka dorëzuar një përgjigje të fraksioneve të rezistencës palestineze deri te zyrtarët e Katarit gjatë një takimi me kryeministrin e Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Përgjigjja iu dërgua gjithashtu autoriteteve egjiptiane, shtohet në deklaratë.

“Përgjigja i jep përparësi interesave të popullit palestinez, duke theksuar nevojën për ndalimin e plotë të agresionit të vazhdueshëm kundër Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës”, thuhet në deklaratën e lëvizjeve palestineze.

Egjipti dhe Katari kanë konfirmuar se kanë marrë një përgjigje nga Hamasi për marrëveshjen e armëpushimit, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara kishin marrë përgjigjen zyrtare të Hamasit ndaj propozimit publik të armëpushimit të Presidentit Joe Biden dhe po e vlerësonin atë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se ishte "sigurisht e dobishme të kishim një përgjigje", duke shtuar se administrata Biden "po e priste me padurim atë".

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të hënën një rezolutë që mbështet propozimin e armëpushimit të Gazës të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden.

Propozimi do të nënkuptonte një pauzë gjashtëjavore në luftime dhe lirimin e disa të burgosurve izraelitë në Gaza dhe të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, gjë që do të lejonte negociatat për një armëpushim të përhershëm.

TRT Balkan / agjencitë