Grupet palestineze bënë thirrje të hënën për përshkallëzim të operacioneve të rezistencës në Bregun Perëndimor të okupuar, si hakmarrje për luftën genocidale të Izraelit ndaj Rripit të Gazës.
Tre kolonë të paligjshëm izraelitë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën të hënën në mëngjes gjatë një sulmi me armë pranë vendbanimit Kedumim në Bregun Perëndimor të veriut.
Në një deklaratë, Hamasi e vlerësoi sulmin si “një përgjigje heroike ndaj krimeve dhe luftës për zhdukje që po kryen (pushtimi izraelit) kundër popullit tonë në Gazë, planet për zhvendosjen në Bregun Perëndimor dhe agresionin e kolonëve ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe vendeve të shenjta.”
"Ky operacion është mesazh për qeverinë izraelite ekstremiste dhe ministrat e saj se ekziston një komb i lirë dhe rebel që nuk do t'i braktisë të drejtat e tij dhe se rezistenca do të vazhdojë deri sa pushtimi të largohet nga të gjitha tokat tona", shtohej në deklaratë.
Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP) e quajti sulmin një "mesazh të fuqishëm" për pushtimin izraelit.
Ai kërkoi përshkallëzimin e operacioneve të rezistencës në Bregun Perëndimor "për t'i prishur llogaritë e pushtuesit dhe për të dobësuar sistemin e tij të sigurisë."
Komitetet Popullore të Rezistencës e cilësuan sulmin si "një përgjigje natyrore" ndaj luftës genocidale të Izraelit në Gazë dhe planet për judaizimin dhe aneksimin në Bregun Perëndimor.
Tensionet kanë qenë të larta në Bregun Perëndimor të okupuar për shkak të luftës genocidale të Izraelit ndaj Ripit të Gazës, e cila ka vrarë më shumë se 45.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.
Të paktën 835 palestinezë janë vrarë dhe gati 6.700 të tjerë janë plagosur nga zjarrin i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të okupuar, sipas shifrave palestineze.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve lëshoi urdhra arresti për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij ndaj enklavës.